Komisioni për shkallën e invaliditetit, peng i listave të veteranëve

3 vite më parë

Komisioni për shkallën e invaliditetit, peng i listave të veteranëve

Sipas Xhevdet Qeriqi është e turpshme që për katër vjet nuk është përmbyllur ky proces.


Komisioni mjekësorë që do të përcaktonte shkallën e invaliditetit tek invalidët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ende nuk është formuar. Kjo vonesë po konsiderohet e padrejtë nga veteranët e UÇK-së. Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë thotë se komisioni do të formohet posa të përmbyllen lista e veteranëve.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, tha se vazhdimisht po provojnë të komunikojnë me qeveritarët që të funksionalizohet ky komision, por që ai thotë se nuk po marrin përgjigje.

“Ne në vazhdimësi po mundohemi të komunikojmë me qeveritarët e Republikës së Kosovës rreth funksionalizimit të këtij komisioni por për fat të keq nuk po marrim përgjigje, në vazhdimësi ata japin deklarata se ky komision do të filloj shumë shpejtë, por kjo nuk po ndodhë. Ne kemi pasur vitin e kaluar një takim me kryeministrin dhe patë premtuar që brenda muajit do të përmbyllet ky proces dhe do të funksionalizohet ky komision, për fat të keq ka kaluar edhe një vit dhe ky komision nuk po fillon punën për t’i shqyrtuar lëndë e invalidëve”, tha Xhevdet Qeriqi.

Po ashtu, ai tha se është një numër i madh që e kanë fituar statusin e invalidëve, por që në mungesë të komisionit mjekësorë nuk janë kompensuar.

Gjithashtu, Qeriqi tha se nëse nuk merret ndonjë hap nga Qeveria e Kosovës që sa më shpejtë të funksionalizohet ky komision do të ndërmarrin hapa të tjerë apo edhe do të protestojnë.
Sipas tij është e turpshme që për 4 vite nuk është përmbyllur ky proces

Kurse, deputeti nga radhët e PDK-së, Bislim Zogaj i cili disa herë ka ngritur çështjen e formimit të komisionit mjekësorë në Kuvend, thotë se përkundër asaj që i është thënë se do të zgjidhet ky problem, ende nuk është bërë asgjë.

“Për kategorinë e invalidëve të luftës do të formohet komisioni dhe më së shumti dy muajt e vitit 2017 do të zgjidhet edhe ky problem dhe do të fillojnë pagesat. Ndërkohë është vërejtur se nuk ka lëvizur asgjë dhe para një jave mjetet e informimit kemi dëgjuar që ministri për Mirëqenie Sociale ka deklaruar se tani do të caktohen dy persona për t’u lëshuar vërtetimet që me ato vërtetime pastaj të kenë të drejtë të bëjnë kërkesën për kompensim, por realisht nuk është punuar asgjë në këtë drejtim”, tha ai.

Sipas tij, arsye se pse institucionet e Kosovës po e vonojnë formimin e komisionit është se nuk e dinë vlerën e atyre që dhanë çdo gjë që këta sot të jetojnë të lirë.

Ndërsa, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës dhe Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, për kp ka thënë se po pritet që të përfundojnë listat e invalidëve dhe pastaj do të formohet komisioni mjekësorë që do të bëjë përcaktimin e shkallës së invaliditetit tek invalidët e UCK-së.

“Shkalla e invaliditetit është njëfarë mënyre, prapë e kemi pas një komunikim të mirë me shoqatat përkatëse dhe po presim me u përfundu listat e invalidëve sepse nuk janë mbyllur listat e invalidëve”, tha ai.

Ndryshe, as procesi i veteranëve nuk ka përfunduar, kurse, për kategorinë e pjesëtarëve të UCK-së, as që ka filluar marrja e certifikatave./rtv21