3 javë më parë

Kohë e një ndryshimi të madh

Kohë e një ndryshimi të madh

Në 17 janar të këtij viti (2020), ndërsa bëja leximin e përditshëm të shtypit të ditës, në prestigjozen ‘‘The Guardian’’, hasa artikullin me titull ‘‘Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar thotë se ekonomia botërore rrezikon kthim tek Depresioni i Madh’’. Drejtuesja e FMN, Kristalina Georgieva, thoshte se ekonomia globale rrezikon të kthehet në Depresionin e Madh si rezultat i pabarazisë dhe paqëndrueshmërisë së sektorit financiar.

Në një fjalim në Peterson Institute Of International Economics në Washington, ajo e krahasoi ekonominë e sotme me shpërthimin e zhvillimit të viteve ‘20, që kulmoi në 1929 me krizën e tregjeve, duke thënë se një trend i tillë është në proces edhe tani. Ajo tha se ndërsa pabarazia mes vendeve është mbyllur dy dekadat e fundit, pabarazia brenda vendeve është rritur, duke veçuar me kriticizëm Mbretërinë e Bashkuar.

‘‘Në Mbretërinë e Bashkuar, për shembull, 10% e majës kontrollon afërsisht aq pasuri sa 50% e pjesës fundore. Kjo situatë është e pasqyruar në shumë vende të OECD, ku pabarazia tek të ardhurat dhe pasuria ka arritur, ose është pranë arritjes së niveleve shumë të larta.’’, tha ajo.

Ky lajm mu ngulit fort në mendje. Nga njohja e tregjeve dhe e komunikimit dihet se një lajm i tillë ta ridimensionon jetën; njerëzit e reflektojnë pasigurinë në sjelljen konsumatore duke ndryshuar marrëdhënien me konsumin, investimet dhe kursimin. Edhe sikur kjo që ka thënë Kristalina Georgieva të mos ndodhte, mjaftonte deklarata e saj për të hyrë në një skemë pasigurie.

Ditët kaluan. Me gjithë lajmet e shumta që ekspozohemi çdo ditë, këtë të datës 17 janar nuk e hoqa nga mendja.

Ditët kaluan. Në media u shfaq lajmi për një virus të tmerrshëm në një qytet të Kinës, i cili më pas u identifikua si Covid-19, një tip koronavirusi i ri që përhapej shpejt dhe për të cilin duke qenë se kishte sjellje të panjohur, nuk mund të thuhej me siguri se cili do të ishte trajtimi i mjekësor më i përshtatshëm. Për të menaxhuar përhapjen e virusit, autoritetet kineze morën masa ekstreme izolimi.

Në këtë kohë u ndërpre komunikimi ajror dhe transportet nga Kina në pjesët e tjera të botës. Në tregjet ndërkombëtare u reflektua menjëherë kjo ndërprerje. Tregtia me Kinën u ndalua, e po kështu hyri në një aks të ri, prodhimi dhe shumë aktivitete tregtare të pjesës tjetër të botës të cilat në kushetet e një ekonomie globale dhe konkuruese, marrëdhënien tregtare me shtetin e largët të Kinës, e kishin të afërt.

Efekti në ekonomi do të jetë afatgjatë sepse bizneset e ndikuara nga ky bllokim kanë patur, pasoja, vonesa, ndërprerje të prodhimit, etj. Kompani të vogla në vende të ndryshme kanë falimentuar sepse nuk mund të përballonin aktivitet të bllokuar, dhe tendenca për të gjetur furnitorë të rinj, por më të shtrenjtë, është përsëri një kosto shtesë për konsumatorin final. Ky është ndikimi i parë i Covid-19.

Ndërsa Kina hyri në fazën e maturimit të Covid-19 për shkak të izolimit të qyteteve të tëra, virusi u shfaq në Europë, si fillim në Itali. Italia u kthye shumë shpejt në një zonë me shumë të infektuar, kjo ndoshta edhe për shkak të sjelljes shumë sociale të italianëve, me përqafime, puthje, shumë biseda dhe festa, shto këto izolimin e vonuar nga ana e autoriteteve përgjegjëse.

Shqipëria rrezikohej njësoj si Italia për shkak të komunikimeve direkte ajrore dhe detare dhe fluksit të lartë të udhëtarëve. Shumë shpejt, edhe shqiptarët u gjendën në karantinë, nën sloganin ‘‘Laj duart, qëndro në shtëpi’’.

ShBA ndërpreu fluturimet me Europën si masë tepër të rreptë parandaluese të premten, datë 13, sipas një njoftimi të dhënë pak ditë më parë, ndërsa njoftimet për mbylljen e palestrave dhe aktiviteteve ku mblidhen shumë njerëz dhe nuk garantohet dot mbrojtja nga infektimi.
Në faza të moderuar janë edhe Gjermania dhe Mbetëria e Bashkuar, ku njerëzit ende mund të shkojnë në punë.

Në shtëpi po qëndrojnë një pjesë e mirë e banorëve të botës.

Po si ka ndryshuar jeta këto ditë?

Njerëzit po qëndrojnë më gjatë me familjarët, duke u thelluar në ndjesi të cilat koha e gjatë i favorizon. Prej kohësh ka qenë shqetësuese norma e ulët e lindjeve në vendet e zhvilluara. Çiftet mjaftoheshin me një fëmijë dhe mosha mesatare e popullsisë ishte rritur si pasojë e lindjeve të pakta dhe rritjes së jetëgjatësisë.

Tani, konsumi është më i organizuar. Ai përqëndrohet tek ushqimet dhe produktet që përdoren në shtëpi. Duket e natyrëshme që sot njerëzit të mos blejnë veshje të reja dhe këpucë. Në shtëpi mund të rrihet edhe me tuta dhe corape, por edhe me pizhame…

Për të shtyrë orët njerëzit i rikthehen leximit dhe ndonjë pasioni të harruar. Ndërsa ritimi i jetës ndryshon, jeta qetësohet, mendimet kthjellohen. Brenda shtëpive njerwzit pastrojnë, sistemojnë, gatuajnë. Ndërsa njerëzit nuk dalin dot, por kanë nevojë të blejnë diçka, biznesi online lulëzon.

Teknologjia është revolucioni i epokës ku jetojmë, por si pasojë e evolucionit, konkurenca e saj me aktivitetet tregtare në terren ishte e vështirë. Sot në izolim, për botën online dhe shefat e saj, gjithçka është më e lehtë.

Kjo që përshkruhet më sipër për njerëzit, natyrisht vlen për një pjesë të tyre. Ata që janë mësuar të udhëtojnë shumë, ta mbështesin lumturinë e tyre tek jeta sociale aktive, tek shumë takime dhe shumë lëvizje, ata sigurisht e kanë më të vështirë.

Ndërsa njerëzit, burimi i çdo aktiviteti në botë, kanë ndryshuar sjelljen, gjithçka tjetër ka ndryshuar.
Tregu i bursës ka ndryshuar sjellje. Aksionet bien. Madje në disa shkrime lexova se ndoshta bursa nuk qenkërka më një treues real i ekonomisë. Ndërsa kompanitë nuk furnizojnë dhe as furnizohen dot për shkak të ndërprerjes së transportit.

Linjat ajrore, detare, hekurudhore kanë ndërprerë më së shumti aktivitetin e tyre. Këto industri do të vuajnë kosto të larta të këtij izolimi. Ndërkohë që dikush bllokohet, të tjerë kanë sukses. Bota online merr këto ditë avantazh sepse ky stil jete i jep epërsinë e monopolit.
Pabarazia duket sikur po zvogëlohet. Të gjithë infektohen njësoj, të gjithë duhet të rrinë në shtëpi njësoj…

Ne po rrimë në shtëpi. Zogjtë kanë dalë të këndojnë. Ajri po pastrohet. Natyra po ngre kokën të cilën ia ulëm me ritmin tonë të shfrenuar.

Duket se bota nuk ka ndaluar ndonjëherë kaq shumë…

Strategjitë e këputjes, thonë ‘‘Këpute që ta ndryshosh tërësisht’’.

Me shumë mundësi, kur të dalim nga ky Big Brother, bota nuk do jetë më ajo që lamë kur hymë.

(Autorja është lektore në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës)