Kodi i ri Penal i Kosovës më i ashpër ndaj korrupsionit

4 muaj më parë

Kodi i ri Penal i Kosovës më i ashpër ndaj korrupsionit

Kodi i ri Penal i Kosovës ka hyrë në fuqi që nga data 14 prill, njoftoi përmes një komunikate ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri.

Ai bëri thirrje që të respektohet ligji dhe paralajmëroi masa të ashpra ndaj abuzuesve të ligjeve në Kosovë.

“Abuzuesit me paratë e taksapaguesve tanë, të korruptuarit dhe ata që merren me krimin e organizuar, do të përballen me sanksione të ashpra që s’i kanë hasur asnjëherë më parë dhe nga të cilat s’do të mund të shpëtojnë dot”, tha Tahiri.

Ministri i Drejtësisë u zotua se me fillimin e zbatimit të këtij kodi, do të ketë një qasje të re në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet në Kodin e ri Penal të Kosovës vitin e kaluar.

Sipas zyrtarëve në sistemin e drejtësisë, ndryshimet në Kodin Penal u japin një përgjigje të fuqishme kërkesave për parandalimin e veprave korruptive.

Amendamentimi i këtij kodi ka qenë edhe një nga rekomandimet e Bashkimit Evropian për procesin e liberalizmit të vizave për Kosovën.