Kodi Civil i Kosovës do të jetë me model gjerman

4 vite më parë

Kodi Civil i Kosovës do të jetë me model gjerman

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, në konferencën për media tha se prioritet të saj ka kodifikimin e të drejtës civile.

Ajo tha se Kodi Civil luan rol të rëndësishëm në zhvillimin e një sistemi funksional të marrëdhënieve të detyrimeve, të drejtave sendore, pronësisë, si dhe të drejtës familjare dhe trashëgimore, transmeton AktivPress.

“Sot, në Kosovë, ekziston një realitet ligjor kompleks dhe shpeshherë problematik për sa i përket zbatimit dhe interpretimit, ku në këtë situatë ka ndikuar nevoja e vazhdueshme për plotësimin dhe ndryshimin e ligjeve në funksion të harmonizimit me direktivat e Bashkimit Evropian”, theksoi ministrja.

Ministria e Drejtësisë pas shqyrtimit si referencë ka vendosur që Kodi Civil të ndjekë modelin gjerman.

“Vendimi që të ndiqet modeli gjerman është rrjedhojë e ngjashmërisë në qasjen ligjore, metodologjinë dhe traditën ligjore dhe besimin se modeli gjerman i përshtatet më mirë nevojave të Kosovës. Duke ndjekur këtë model, besojmë se do të sigurojmë përputhshmëri me standardet dhe praktikat më të mira evropiane”, është shprehur Hoxha.

Ajo shtoi se do të sigurohet se ky model do të përdoret si referencë, ndërsa përmbajtja e tij do të përshtatet me kornizën ligjore, institucionale, dhe rrethanat shoqërore-juridike në vend.

Hoxha u bëri thirrje publike grupeve të interesit të përcjellin këtë punë dhe të ofrojnë kontributin e tyre. /AktivPress