Klinë/ Përfundoi festivali “I këndojmë lirisë”, këta janë fituesit e sivjetmë

3 muaj më parë

Klinë/ Përfundoi festivali “I këndojmë lirisë”, këta janë fituesit e sivjetmë

Ka përfunduar Festivali Folklorik Mbarëkombëtar “I këndojmë Lirisë”, që u mbajt me 6, 7 dhe 8 qershor në Klinë. Çmimin kryesor “Mujë Krasniqi” të edicionit të 19 të këtij festivali, e ka fituar Ansambli i Këngëve dhe i Valleve “Dëshmorët e kombit” nga Obiliqi, transmeton AktivPress.

Çmimin ua dorëzoi kryetari i komunës së Klinës, Zenun Elezaj dhe Halil Krasniqi, babai i komandant Mujë Krasniqit. Vendin e dytë e ka marrë AKV ”Drenica nga Skënderaj, të tretin “Shotë Galica” e Drenisa, ndërsa çmimi i publikut i takoi ansamblit të këngëve dhe valleve të Lushnjës.

Udhëheqësi artistik këtij ansambli, Sadat Kelmendi, tha se janë të nderuar që janë fitues të festivalit të sivjetmë të festivalit folklorik “I këndojmë lirisë”, dhe për ta është vlerësimi më i çmuar që kanë marrë deri tash.

“Në këtë manifestim folklorik mbarëkombëtar ne marrim pjesë me vite me radhë. Sivjet jemi përgatitur si kurdoherë më parë. Ky shpërblim na obligon që të punojmë edhe më shumë, nga se jemi vlerësuar nga një juri profesionale”, ka thënë Kelmendi.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, i ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në festival duke u dëshiruar pjesëmarrje të serishme edhe në festivalet e ardhshme.

“Ne si komunë e kemi mbështetur Festivalin Folklorik Mbarëkombëtar “I këndojmë Lirisë” duke bërë të mundshme që festivali ta përmbush qëllimin, sepse festivali për Klinën është shumë domethënës, për karakterin dhe cilësinë duke u bërë tashmë tradicional dhe identifikues”, është shprehur Elezaj.

Edhe drejtuesit e tjerë të festivalit janë shprehur të kënaqur me rrjedhën e festivalit, pjesëmarrjen, mbarëvajtjen dhe pjesëmarrjen e grupeve, rapsodëve. Drejtori i festivalit, Alban Gashi, theksoi se janë të impresionuar me pjesëmarrjen, që sipas tij ishte e paparashikueshme, e bashkë me këtë edhe menumrin e grupeve që përformuan në këtë festival.

”Për tri net me radhë në skenën e festivalit u ngjiten këngëtarë, valltarë e instrumentistë nga të gjitha trojet etnike, ku shpalosen vlerat e mirëfillta folklorike kombëtare”, u shpreh Gashi.

Po ashtu edhe zyrtarët komunal kanë dhënë vlerësimet e tyre, për organizimin dhe risitë që janë sjellë në këtë festival. Drejtori i Kulturës, i Kulturës dhe Sportit, ka theksuar se janë përpjekur që festivali të arrijë synimet, gjë që edhe është bërë./AktivPress/