Klina seancë solemne për Ditën e Pavarësisë

4 vite më parë

Klina seancë solemne për Ditën e Pavarësisë

Në Klinë janë organizuar aktivitete kulturo-artistike e sportive, në 9- vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Ngjarjet kryesore janë zhvilluar sot, duke filluar me ngritjen e Flamurit shtetëror para objektit të Komunës për të vazhduar me homazhe pranë shtatores “ Mujë Krasniqi” dhe të varrezat e dëshmorëve.

Është mbajtur seancë solemne e Kuvendit të Komunës së Klinës.

Kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, ka uruar gjithë qytetarët për këtë feste dhe ka thënë se data e 17 shkurtit 2008 do të mbetet përjetësisht në historinë e Kosovës.

“Shpallja e pavarësisë ishte akt historik, të cilit i ka paraprirë një proces i gjatë çlirimtar, i mbuluar me lavdi me gjak dhe sakrifica të panumërta, i ka paraprirë një luftë titanike për jetë a vdekje, që simbolizohet me emrin emblemë të komandantit legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari”, tha Bashota.

Në Qendrën e kulturës “Jehona e Dukagjinit”, është organizuar një manifestim letrar dhe kulturor, ku janë promovuar disa libra të autorëve klinas, po ashtu është mbajtur edhe një orë letrare, ku krijimet e tyre i kanë lexuar krijues letrarë nga Prishtina, Klina, Peja, Malisheva, Drenasi etj.

Në foajeun e kësaj qendre të kulturës është hapur ekspozitë kolektive e artistëve të Klinës. Për nder të kësaj Dite është mbajtur edhe turniri në futboll të vogël i institucioneve të kësaj komune./Aktivpress