“Kisha Ortodokse Serbe s’e ka tapinë për Kosovën”

3 muaj më parë

“Kisha Ortodokse Serbe s’e ka tapinë për Kosovën”

Kryetari i Partisë Liberale Demokratike (Liberalna demokratska partija-LDP) Çedomir Jovanoviq ka thënë se Kisha Ortodokse Serbe (KOS) duhet të pushojë së përzieri në vendimet politike dhe se me përfshirjen e vet po e rëndon edhe më shumë pozicionin e Serbisë në bisedat me Kosovën.

Jovanoviq ka thënë se “mitomania e të gjitha tubimeve të KOS-it , mungesa e ndjenjës për realitet, mungesa e brengosjes për jetët e njerëzve dhe projektet e nacionalizmit serbomadh që kanë ende strehim në Kishë, po e lënë Serbinë në konflikt të ngrirë me të gjithë fqinjët, transmeton Koha.net.

“Vendimi për problemin e Kosovës nuk është tapi e Kishës dhe e zyrtarëve të saj, ata as që kanë më shumë të drejtë se çdo qytetar tjetër në Serbi kur bëhet fjalë për vendimin e përbashkët për një gjë kaq të rëndësishme”, përcjell beta kumtesën e shkruar të Jovanoviqit .

Ai ka theksuar se KOS-i po sillet sikur pas dyerve të mbyllura ta ketë mundësinë të marrë vendime që duhet të na detyrojnë.

Jovanoviqi ka thënë se secili “duhet të shikohet në pasqyrë e të shohë cili është çmimi i përkrahjes në politikën katastrofike e cila Serbinë e ka dërguar në margjina të qytetërimit bashkëkohor dhe të pyetet ku ka gabuar”.

“LDP nuk pranon që kishtarët të udhëheqin politikën, që Kisha të tërheqë ndonjë “vijë të kuqe” dhe as që përmes qëndrimeve të saj të nxjerrë ndonjë dokument që na detyron ne të gjithëve”, ka thënë Jovanoviqi.

Ai ka përfunduar me fjalët se “çdo herë arkitektet e njëjtë të shkatërrimit serb po riparaqiten me ide të njëjta nga të cilat Serbia pothuajse u zhduk si shoqëri “.