Kiçmari i reagon Buxhovit: Shko te varrezat e Jasharajve, vetreflekto

3 muaj më parë

Kiçmari i reagon Buxhovit: Shko te varrezat e Jasharajve, vetreflekto

Ish-përfaqësuesi diplomatik i UÇK-së, Sabri Kiçmari, ka reaguar ndaj deklaratave të shkrimtarit Jusuf Buxhovi.

“Jusuf Buxhovi paska deklaruar se ‘lufta e UÇK nuk ka qenë e pastër’. Para se të deklaronte në këtë mënyrë, Buxhovi do të duhej të shkonte në Prekaz te varri i Adem Jasharit dhe familjes Jashari dhe të vetreflektojë. Më pas të shkojë të vizitojë edhe varret e Zahir Pajazitit, Luan Haradinajt, te varret e shokëve të mi të dashur Fehmi Lladrovci dhe Xhemajl Fetahaj! Ata janë personifikimi i vërtetë i UÇK-së”, ka thënë Kiçmari.

“E kam përjetuar një propagandë të tillë edhe gjatë luftës. Në takimet e shumta diplomatike si përfaqësues diplomatik i UÇK-së, me mund dhe durim të madh, më duhej t’ua shpjegoj diplomatëve dhe gazetarëve të shumtë karakterin e pastër të luftës sonë. Edhe në atë kohë kishte njerëz, që mundoheshin të dezinformojnë publikun se lufta jonë për liri ka karakter terrorist, fundamentalist ose ideologjik. Koha e vërtetoi se nuk kanë pasur të drejtë! Diplomatët ndërkombëtarë e kuptuan dhe na mbështetën, pikërisht për shkak të karakterit të pastër të luftës sonë”, ka thënë më tej Kiçmari.

Sipas tij, Jusuf Buxhovi nuk ka pasur të drejtë as në vitin 1981, nuk ka pasur të drejtë as në vitet 1998-1999 dhe nuk ka të drejtë as sot.

“Lufta e pastër e UÇK është një nga ngjarjet më të ndritshme të historisë sonë të re”, ka thënë Kiçmari.