Kështu foli Vjosa Osmani para rrëzimit të Qeverisë Kurti

4 muaj më parë

Kështu foli Vjosa Osmani para rrëzimit të Qeverisë Kurti

Në prag të votimit për rrëzimin e Qeverisë Kurti, ka mbajtur një fjalim të gjatë kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.

Më poshtë është fjalimi i plotë i saj:

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës!

Ky është fjalimi që nuk do të doja ta mbaja!

Si kryetare e Kuvendit të Kosovës, kam përgjegjësinë institucionale që t’ju drejtohem nga kjo foltore e nga ky kuvend, ngase Lidhja Demokratike e Kosovës, e përkrahur nga PAN-i, sot ka sjellë për votim mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë suaj, ndaj qeverisë së shpresës, më të votuarës qeveri në 15 vjetët e fundit. Ky mocion është ngritur ndaj qeverisë së ndryshimit në një vend ku politikanët, me gjasë, nuk e duan ndryshimin. Ky mocion është dorëzuar në kohën kur bota po vuan nga një pandemi dhe Evropa e ka bërë moto solidaritetin mes njerëzve. Sot ne rrezikojmë ta humbim edhe atë fije solidariteti që e kemi gëzuar para pandemisë. Kjo është e pashembullt.

Ky është fjalimi që nuk do të doja ta mbaja, ngase në çastin në të cilin unë po flas, Kosova dhe mbarë njerëzimi janë duke u përballur me njërën nga sfidat më të mëdha në historinë e njerëzimit, atë të virusit “Covid 19”. Në këtë çast të trishtë për njerëzimin, të cilin po e bëjmë edhe më të trishtë me mosdurimin tonë politik, me mocionin ndaj qeverisë, ëndrra për ta mbisunduar tjetrin shndërrohet në betejë meskine për pushtet, edhe atëherë kur ai pushtet kërkon shërbëtorë sikur mantelbardhët tanë, që luftojnë për secilën jetë, për secilin njeri, për secilën fjalë.

Të dashur qytetarë!

Në këtë çast kur egoja jonë po na kërkon t’i përmbushim apetitet tona, mjekët tanë po përpiqen për shpëtimin e secilës jetë, të secilit njeri të prekur nga pandemia. Por, ne kemi vendosur t’i lëmë ata të pashpresë në betejën e tyre jetësore, duke ua larguar qeverinë për të cilën ata kanë nevojë më shumë se kurrë; duke i demotivuar policët dhe dhjetëra mijëra shërbyes të tjerë të qytetarëve tanë, duke i ndëshkruar ata me lehtësi vrastare, me një mocion mosbesimi. Ne sot do të duhej të diskutonim e merrnim vendime për t’ua lehtësuar punëtorëve shëndetësorë shërbimet dhe ofrimin e paisjeve mbrojtëse, do të duhej të diskutonim për masat mbrojtëse ndaj policëve në detyrë, do të duhej të diskutonim për ushqimet e domosdoshme, për furnizimet me barna, për masat mbrojtëse të punëtorëve në dyqane e në furra të bukës, do të duhej të diskutonim masat shtesë për rastet sociale dhe grupet më të rrezikuara nga koronavirusi, pensionistët.

Gjatë kësaj periudhe, do të duhej të diskutonim për hallin e bizneseve që do të falimentojnë nga mungesa e ushtrimit të veprimtarisë së tyre, do të duhej të diskutonim cilat janë masat e qeverisë për punëtoret e këtyre bizneseve që nuk do t’i marrin pagat në fund të muajit dhe do t’u rezikohet buka e gojës për ta dhe për fëmijët e tyre. Shpallja e pandemisë dhe kufizimet e detyruara të veprimtarive ekonomike e kanë rënduar gjendjen ekonomike dhe sociale tqë qytetarëve tanë. Kjo gjendje mund të vazhdojë të përshkallëzohet edhe më shumë në të ardhmen. Sikur pandemia globale nuk mjaftonte, sot rrezikohet që në Kosovë të përhapet dhe një pandemi tjetër – ajo e dehumanizimit të shpirtit dhe të përcarjes. Prandaj, ju do ta mbani në mend atë se cfarë do të ndodhë sot, sic do ta mbani në mend frikën nga virusi që po i rrezikon jetët tona.

Të dashur qytetarë!

Marrëveshja për bashkëqeverisje është kontratë, që duhet të respektohet nga të gjithë. Veprimet e pamatura politike po të ndikojnë që sot ju të merrni vendimin e dëmshëm për vendin, në këtë kohë kur qytetarët po përballen me rrezikun për jetë a vdekje. Këto veprime mund ta përdhosim vullnetin tuaj për ndryshim; ta vrasin shpresën kur ju keni më së shumti nevojë për të; t’i mbysim buzëqeshjet që ju na i falët me aq ëmbëlsi në qindra tubimet e LDK-së gjithandej Kosovës, besën e shpresën për besim, që ju na e siguruat.

Por, rënia e qeverisë nuk shënjon rënien e qëndresës suaj ndaj së keqes; Tek e fundit, asnjë rënie nuk është e përhershme dhe asnjë betejë e pamundur; ne kemi rënë dhe jemi ngritur, spese jemi mbështetur fort në njëri-tjetrin. Si kryetare e Kuvendit jam përpjekur që t’i mbroj parimet e mia dhe secilin parim politik mbi të cilin ka funksionuar partia ime dhe mbi të cilin ne kemi ndërtuar kontratë me qytetarin para zgjedhjeve të 6 tetorit.

Sikur ju, kam besuar dhe besoj në vlerat që ju na i falët me aq besim në qindra tubimet e LDK-së gjithandej Kosovës, në besën e shpresën, që ju na e siguruat. Kam besuar në qëndrimin që LDK-ja dhe kryetari i saj kanë mbajtur ndaj qeverisjes së PAN-it, në një status të tij në FB. Po citoj: “Jo, jo! Ata e kanë kultivuar korrupsionin dhe npotizmin dhe nuk mund ta luftojnë as njërën as tjetrën. Veç mund ta riorganizojnë për nevoja të veta. Ata që lidhin kontrata të dyshimta dhe të dëmshme në Telekom, ata të aferës të pasaportave, ata të vjedhjes së dhomës së dëshmive, ata që i mbushën kompanitë publike me njerëz partiakë, ata që fabrikuan dhe nënshkruan vërtetime të rrjshme për veteranët e luftës, ata që e katandisën paranë publike, ata… duhet të shkojnë në lavazh, të pastrohen mirë, Brenda e jashtë. Jo të qeverisin me Kosovën”.

Unë besoj se qeveria LDK-VV ka qenë e zonja që ta luftojë edhe korrupsionin edhe krimin e organizuar. Prandaj, nuk mund të pajtohem me mocionin e mosbesimit, aq më tepër në një kohë të rëndë për qytetarët, sepse konsideroj se, duke e votuar moocionin për shkarkim, ne po e braktisim vullnetin e qytetarëve tanë për ndryshim. As shqetësimi mbi mbajtjen e tarifës nuk ekziston më, ngase qeveria ka marrë vendim për largimin e saj.

Të nderuar qytetarë!

Sot ju ndjeheni të lodhur dhe të fyer. Kështu ndjehem edhe unë. Sepse zëri juaj, sot nuk është dëgjuar. E, unë dua që zëri i secilit qytetar që pret të shohë se si do të vendosim ne e cili do të jetë fati nën të cilin do të zgjohet nesër, të dëgjohet. Prandaj do të flas,, me zërin që ma fuqizuat ju. Duke e pasur barrën e rëndë të udhëheqjes së kësaj seance, unë sot nga kjo foltore, por nesër nga një dritare e vogël në LDK, nga një dritare virtuale në rrjetet sociale e nga dritarja e banesës sime të vogël do ta kërkoj ta kthej dritën në dritaren e madhe të Kosovës. Dikush mund të flasë në aspektin legal, në emrin e LDK-së, por nëse dikush ka të drejtë morale dhe legjitime që të flasë në emrin e elektoriatit të LDK-së, jam unë Vjosa Osmani.

Në zgjedhjen e fundit të 6 tetorit, unë isha kandidate për kryeministre të vendit. Unë e di kontratën që e kemi bërë si parti me elektoratin e LDK-së dhe ajo ka qenë: jo koalicion me PAN-in e po luftimit të krimit dhe korrupsionit. Si politikane që ka konsistencë në qëndrimet e saj, unë jam kundër cdo marrëveshje me këto parti, unë nuk e thyej besimin e elektoratit të LDK-së për asnjë çmim. Në çdo lagje, fshat e qytet, në palestra e amfiteatro, kam kërkuar besimin e qytetarëve nën slloganin “BESO”, sepse vetë kam pasur bindje e besim te plotë, se do të angazhohemi për ndryshim të pushtetit dhe se partitë e PAN-it që e kanë shpenzuar edhe rezervën shtetërore, duke na sjell në pikë kritike e duke na rrezikuar mundësinë e menaxhimit të duhur të emergjencës shëndetësore, do t’i dërgojmë përfundimisht në opozitë. Unë Vjosa Osmani nuk kam kaluar asnjëherë në parti tjetër, unë kam qëndruar fuqishëm në parimet dhe platformën, të cilën e kam shpalosur para qytetarëve, në parimet strategjike të LDK-së.

Të dashur qytetarë!

Në politikë, sikur edhe në jetë, ndonjëherë duhet ta paguash cmimin e të qenit parimor. Unë e kam provuar në lëkurën time, më shumë se një herë. Por, parimësia tregon udhën e vërtetë, edhe kur ajo është e mbushur përplot gjemba. E, unë nuk përtoj t’u rrekem këtyre pengesave për ta bërë të dukshme dritën, edhe nëse, sikur ka ndodhur mbrëmë me një mendjeshkurtër të partisë sime, i cili më akuzoi se qenkam duke e “tradhtuar” LDK-në dhe kërkoi largimin tim nga LDK-ja.

Nëse mbrojtja e çdo pike të programit të LDK-së më bëka tradhtare, nëse mbrojtja e një qëndrimi refuzues ndaj cdo bashkëpunimi me krimin më bëka tradhtare, nëse mbajtja e secilës fjalë, secilës fjalë ama, që unë ua kam dhënë votuesve të mi, derisa disa prej bashkëpartiakëve të mi frikësoheshin t’u dilnin përpara, atëherë me krenarinë më të madhe do ta mbaj këtë “vulë të tradhtisë”. Por, unë nuk dua të merrem me erën që është duke u shuar. Unë do të veproj, ashtu sikur thoshte Doris Pak për dr. Rugovën, ndryshe. Ai vepronte ndryshe, vepronte në të mirën e përgjithshme, edhe kur e përqeshnin e bëheshin gati ta sulmonin. Ashtu do të veproj edhe unë, që nuk jam veçse një ndjekëse këmbëngulëse e politikës së tij.

Si kryetare e Kuvendit kam bërë cdo gjë që vendi të mos vinte në këtë situatë, sidomos jo në kohë pandemie. Tash, kur jemi këëtu, unë do të votoj kundër mocionit, do të votoj për të ardhmen e vendit tim, ngase jam thellësisht e bindur se vendit i duhet solidaritet politik e moral, i duhet qeveri që është e zonja të përballet me pandeminë dhe jo me betejën për egot personale. Na duhet solidaritet njerëzor, institucional e moral me njëri-tjetrin. Na duhet bashkim, sepse vetëm kështu do të mund të dalim ngadhnjimtarë. Prandaj, unë do të votoj kundër çdo mocioni që e lë qoftë edhe një qytetar të vetëm pa ministër shëndetësie; që ia pret këmbët të varfrit e ia mbyt shpresën të lënguarit; që ia nxin jetën të papunit, e atij qytetari që në kohën e pandemisë globale detyrohet ta durojë edhe egon tonë të sëmurë për pushtet.

Do të votoj kundër mocionit, sepse kështu votoj pro shpresës për një të nesërme më të mirë, edhe nëse të sotmen e tyre ne po e përbuzim padrejtësisht, duke e shtyrë atë buzë greminës. Unë do të votoj kundër sepse qëndroj fort mbi fjalën e dhënë për ndryshim; qëndroj pranë afro dyqind mijë njerëzve të cilët e votuan partinë time dhe mua si kandidate për kryeministre, qëndroj fort mbi shpresën e njerëzve që s’dorëzohen kurrë dhe që do ta rikthejnë këtë shpresë, të cilën ne padrejtësisht po duam t’ua vrasim. Për mua politika është mision e shërbim, nuk është mashtrim. Duke respektuar besen që ia kam dhënë qytetarit në zgjedhje, unë nuk votoj asnjë mocion që e rikthen PAN-in në qeveri.