“Këshilltarët” e krimit

4 vite më parë

“Këshilltarët” e krimit

Vrasje në bashkëpunim, mbajtje e municioneve dhe armëve luftarake, prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike e deri tek dënime të para viteve ‘90, si dëmtim me dashje të pasurisë socialiste, plagosje e lehtë me dashje dhe sjellje e padenjë në shoqëri i kanë kushtuar mandatin 6 këshilltarëve bashkiakë nga veriu në jug.

Pas leximit të vendimeve të formës së prerë, KQZ-ja në Shqipëri vendosi t’i heqë mandatin këshilltarëve të majtë e të djathtë. Një pjesë e tyre ishin të pranishëm në sallë, duke pretenduar pafajësi.

“Shkaku i dënimit tim ka qenë politik”, tha Rrok Rroku, anëtar i Këshillit Bashkiak të Lezhës.

Ndërsa Zija Mema, anëtar i Këshillit Bashkik Rrogozhinë, tha: “Unë para se të kandidoja e kam marrë të pastër dëshminë e penalitetit. E kam zbatuar ligjin dhe kam plotësuar formularin e dekriminalizimit”.

“Kur jam dënuar, kam qenë i mitur”, u shpreh Robert Dajanaj, anëtar i Këshillit Bashkiak të Malësisë së Madhe, raporton Top Channel.

Ndërkohë, kryetari i KQZ-së, Denar Biba tha: “Politika shqiptare, ambientet publike u mbarsën me lloj-lloj njerëzish. Edhe krimineli më i madh ka dinjitet”

Këta funksionarë publikë e kanë të ndaluar, sipas ligjit të dekriminalizimit që për 10 apo 20 vjet, në varësi të dënimeve respective, të ushtrojnë funksione publike, me përjashtim të Robert Dajanaj, të partisë “Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet”, të cilit i ndalohet përjetë të ushtrojë detyrën e një funksionari publik.