Kërkuan shkarkimin e tij, “Ftyra” iu përgjigjet ambasadorëve

4 muaj më parë

Kërkuan shkarkimin e tij, “Ftyra” iu përgjigjet ambasadorëve

Me shumicë votash, Kuvendi vendosi për emrin e tij. Me 50 vota pro, deputetët vendosën që Naser Shala të jetë drejtor i Sekretariatit të Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës.

Por, ky vendim ngjalli reagimin e ambasadori amerikan Philip Kosnett dhe atiij britanik, Ruari O’Connell.

Disa herë e përsëritën qëndrimin se Shala ishte kandidati që nuk i plotësonte kriteret. E për herë të parë Shala u është përgjigjur ambasadorëve të vendeve mike të Kosovës.

Në një përgjigje me shkrim, për T7, Shala thotë se është emëruar në këtë pozitë në baza meritore.

Për këtë, komandant “Ftyra”, siç njihet gjatë luftës, po kërkon respekt.

“Unë kam marrë këtë pozitë në baza meritore ashtu siç edhe juve do të duhej të ishit të informuar nga përfaqësuesit tuaj të cilët kanë qenë si monitorues gjatë gjithë procesit të përzgjedhjes. Është jo e pranueshme të vazhdohet të nënvlerësohet përgatitja ime arsimore si dhe ajo profesionale. Si ekonomist i diplomuar në kohën e para luftës në Kosovë, që nga pas lufta kam pasur fatin të jem afërsisht për nëntë vite në pozita drejtuese institucionale, ku çdo herë kam treguar profesionalizëm në punën time dhe pikërisht për këtë arsye edhe jam votuar nga të gjitha partitë politike që janë përfaqësues të votës së lirë të qytetarit në Kosovë”.

Në përgjigjen me shkrim për T7, Naser Shala thotë se askush nuk ka të drejtë ta ofendojë, qofshin edhe ata zyrtarë ndërkombëtarë, pasi sipas tij nuk kanë asnjë argument.

“Më lejoni të ju rikujtojë që shpifjet mund të cilësohen si të ulëta dhe dashakeqëse, andaj duhet që njerëzit të jenë të përmbajtur. Në fakt, e them me shumë përgjegjësi që askush qofshin edhe zyrtarët ndërkombëtar, nuk kanë të drejtë dhe aq më tepër pa asnjë argument të vërtetë për të denigruar dhe për të keq informuar opinionin me mendimet personale, tërësisht të pa bazuar”.

Megjithatë, Shala thotë se është i gatshëm të japë dorëheqje nëse këtë e kërkojnë deputetet kosovarë.

“Unë do të vazhdojë të mbaj pozitën, të përkushtohem maksimalisht në zotërimin e saj, mirëpres besimin dhe durimin nga ana juaj që rezultatet e punës sime të jenë ato të cilat do të vlerësojnë kualifikimin tim, marrjen e pozitës me apo pa meritë. Në rast se vetëm gjysma e deputetëve të Kuvendit të Kosovës që më kanë dhënë besimin për këtë detyrë vlerësojnë që kualifikimi dhe rezultatet e punës sime të deri tanishme nuk përkojnë me objektivat e Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës dhe më kërkojnë dorëheqjen, me kërkesën e tyre unë jam i gatshëm ta bëj”.