Kërkohet zbatimi i Ligjit për sponsorizimet në sport

4 vite më parë

Kërkohet zbatimi i Ligjit për sponsorizimet në sport

Ligji për sponsorizimet i cili u aprovua në fillim të këtij viti në Kuvendin e Kosovës, del të jetë problem për Federatat e Sportit në Kosovë.

Komisioni parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport kanë ftuar përfaqësuesit e Federatave të Sportit për të diskutuar rreth ligjit për sponzorizim në fushën e sportit, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i këtij Komisioni, Nait Hasani, ka thënë se duhet të kërkohet nga Ministria e Kulturës që të bëhet më shumë presion tek Ministria e Financave për ligjin mbi sponsorizimet.

Përfaqësuesit e këtyre Federatave edhe pse në numër ishin të pakët thanë që federatat nuk duhet të jenë të regjistruara si OJQ.

“Kosova nuk ka as ide as strategji për sport. Ministria e Kulturës duhet të bëjë punë të cilat janë në të mirë të sportit. Nuk ka asnjë status për federatat, krejt jemi OJQ. Drejtori i ATK-së po na thotë që ne nuk kemi të drejtë asgjë me shit, e vetmja mundësi është që ne me marrë si donacion”, ka thënë Ismet Rexhepi, kryetar i Federatës së Automobilizmit të Kosovës (FAK).

Në anën tjetër Latif Demolli i cili është gjyqtar i boksit dhe i vetmi në Kosovë me licencë ndërkombëtare tha se duhet të ketë një shabllon që t’iu prezantojnë donatorëve kërkesat dhe interesat të cilat i kanë.

Federata e Sportit të Kosovës duke shprehur pakënaqësitë e tyre për numër të vogël të pjesëmarrësve tha se ligji, i cili ka hy në fuqi duhet të aprovohet.

“Ky ligj duhet me hy në fuqi, ligji i cili është aprovuar pas 6 muajve duhet me u zbatu. Ministra  e Kulturës duhet të bëjë një rregullore për sponsorizim. Ne jemi duke e pritur këtë formë.  Edhe këtu numri i debatuesve është i vogël, ngase mungojnë përfaqësuesit e ATK-së, Ministrisë së Financave dhe asaj të Kulturës”,ka thënë Agim Gashi nga Federata Sportit të Kosovës.

Përkundër që përfaqësuesit e federatave shprehën pakënaqësitë e tyre, deputetët të cilët i përkasin këtij komisioni thanë që sporti në Kosovë nuk është në gjendje të mirë dhe se ambasadorët e Kosovës janë vetë sportistët.

“Institucionet janë duke vështirësuar respektimin e ligjit  për sponsorizim. Ministri i Financave prej fillimit nuk e ka pranuar 30% të sponsorizimit pasi që sipas tij dëmtohet buxhet i Kosovës. Ministri i Financave nuk është më i madh se Kuvendi. Ne si Komision e kemi bërë një ligj për sponsor i cili është më i mirë në rajon. Nëse keni ndonjë ligj tjetër që është më i mirë tregonani ne mundemi me ndërruar. Ministria e Kulturës është e obligueshme që mas 6 muajve t’i nxjerr aktet nënligjore”, ka thënë deputeti Bekim Haxhiu.

Anëtarët e këtij komisioni Sali Berisha dhe Ismajl Kurteshi kanë thënë se përkundër kundërshtimeve të ministrave për 30% e sponsorizimit kanë votuar ligjin për sponsorizim. Sipas tyre nëse për ligjin e aprovuar nga ana e federatave nuk ka vërejtje, por ka mosrespektim, fajtor nuk janë ata si anëtarë të komisionit.

“Momentin kur shihni që ligji nuk po respektohet atëherë janë gjykatat ato që sjellin drejtësi. Në këtë aspekt Kuvendi është totalisht i pafuqishëm”, ka thënë Kurteshi.

Për respektimin e këtij ligji sipas procedurave duhet pritur gjashtë (6) muaj e më pas të dilet me rezultate përfundimtare.