4 muaj më parë

Kërkohet një hero/heroinë si model për fëmijët tanë

Kërkohet një hero/heroinë si model për fëmijët tanë

Pasi, për mijëra arsye – disa prej tyre se ne ende nuk kemi histori e as historianë – nuk po mund të pajtohemi për heronjtë historikë, a bën të arrijmë një ujdi në lidhje me heronjtë e kohës së sotme?

A bën të flasim për heronjtë e ditës së sotme? Ata që i shohim, flasim me ta, jetojmë me ta e afër tyre. A bën që të arrijmë një konsensus për këta heronj, me qëllim që të kemi disa modele për fëmijët tanë?

Por, së pari, duhet ta bëjmë një bisedë mes nesh. Vëllezërisht, miqësisht, me kulturë, me edukatë, me takt, thjesht….në mënyrë të qytetëruar.

Kush është pra hero/heroinë i/e kohës së tashme:

– Hero/heroinë sot është ai/ajo që kurrë nuk thotë jam patriot/e (sepse patriotizmi është si qetësia: sapo ta përmendësh, zhduket);

– Hero/heroinë sot është ai/ajo që bën diçka për Kosovën si një kthim borxhi ndaj saj, jo si dhënie hua me kamatë të lartë;

– Hero/heroinë sot është ai/ajo që kurrë, për këto 18 vjet, nuk e ka përmendur luftën në sensin e meritave të tij/saj, e as për trimëritë/sakrificat//humbjet…e të ngjashme;

– Hero/heroinë sot është ai/ajo që refuzon me kryeneqësi të rreshtohet/pozicionohet me klika/klane/banda e parti duke e ditur saktë dhe qartë se kjo do të vazhdojë ta minojë shtetin e Kosovës dhe do t’ia vështirësojë jetën atij dhe familjes së tij;

– Hero/heroinë sot është ai/ajo që jeton nga djersa e vet;

– Hero/heroinë sot është ai/ajo që paguan çdo lloj tatimi dhe çdo lloj shërbimi komunal, edhe kur mundet t’i anashkalojë/vonojë/shlyejë/harrojë;

– Hero/heroinë sot është ai/ajo që nuk e vjedh rrymën (edhe kur – paramendoni – vet punëtori i KEDS-it/KEK-ut i tregon mënyrën/ia tregon kleçkën/mjetin që garanton vjedhjen);

– Hero/heroinë sot është ai/ajo që vozit sipas rregullave të trafikut;

– Hero/heroinë sot është ai/ajo që është dëshmitar/e i një krimi dhe e ofron dëshminë e tij, pavarësisht kërcënimit e rrezikut ndaj tij;

– Hero/heroinë sot është ai/ajo që beson në Zot dhe e respekton tjetrin kur ky beson në Krijuesin në një mënyrë tjetër dhe respekton edhe të tretin që është agnostik apo të katërtin, i cili nuk beson fare;

– Hero/heroinë sot është ai/ajo që punon nga 12 orë në ditë, 6 ditë në javë dhe prapëseprapë kursen pak para për një kurs të matematikës/anglishtes/pianos/futbollit/tenisit/baletit…për fëmijën e vet;

– Hero/heroinë sot është ai/ajo që ka vetëdije ambientaliste dhe i ruan qytetet/fshatrat/lumenjtë/pyjet e bekuara të Kosovës;

– Hero/heroinë sot është ai/ajo që….ende me këmbëngulje ka, mban dhe ushqen shpresën për një Kosovë më të mirë!

Këta janë disa nga shembujt frymëzues. Ju mund të shtoni edhe të tjerë.

Vetëm ngutuni sepse momentalisht fëmijët tanë jemi duke i ushqyer me modele të zogjëve mitikë, që fluturojnë larg e lart dhe me kthetrat e tyre të forta nuk lënë kënd t’i afrohet çerdhes së tyre, maje mali.

Unë mendoj se, së pari duhet t’i ushqejmë me modelin e dallëndysheve të vockëla që me këmbëngulje ndërtojnë atë çerdhen e tyre të vogël dhe pavarësisht se kushtet më të mira për jetë mund t’i dërgojnë në vise më të ngrohta e më të bukura, ato kurrë nuk e harrojnë strehën e vet.

AktivPress