Kërkohet ngritja e pagës minimale pas rritjes së çmimeve

1 muaj më parë

Kërkohet ngritja e pagës minimale pas rritjes së çmimeve

Për shkak të rritjes së çmimeve, tani rritja e pagës minimale është urgjente, thanë njohësit e çështjeve ekonomike për Ekonomia Online.

Dardan Abazi nga INDEP, në një deklaratë për Ekonomia Online, tha se për ta është shumë shqetësuese jo vetëm rritja kaq e shpejtë dhe rapide e çmimeve por edhe qasja e kësaj qeverie kundrejt kërkesave të konsumatorëve dhe kategorive më të ndjeshme në shoqëri.

“Për ne si organizatë që punon në promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe që jemi duke implementuar platformën për mbrojtjen e konsumatorëve është me të vërtetë shqetësuese që të shohim një rritje kaq rapide dhe të papritur të çmimeve në një kohë kaq të shkurtër, kjo pasi përbën një problematikë për shumë familjë kosovare të cilat nuk mund të përballojnë një rritje të tillë të çmimeve e sidomos në një kohë që po fillojnë muajt e dimrit ku edhe konsumi i energjisë elektrike edhe ai i produkteve tjera dhe në këtë mënyrë qytetarët e kanë mjaftë të vështirë të përballojnë këto rritje të çmimeve”.

Sipas Abazit një nga opsionet e mundshme duhet të jetë edhe rritja e pagës minimale, në këtë mënyre që konsumatorët do të mund të kenë më tepër fuqi të konsumit.

“Edhe paga minimale është njëra nga opsionet, pra sidomos në planin afatmesëm dhe afatgjatë që ne e konsiderojmë që duhet të rritet, e në këtë mënyrë konsumatorët do të kenë më tepër fuqi të konsumit por edhe do të rritet mirqenia e përgjithshhme. Ky vendim duhet të jetë i shoshitur mirë në kuptimin e analizave makro-ekonomike. Nuk mund të kemi rritje të pagës minimale si përgjigjie ndaj krizave të përkohshme, ajo duhet të jetë një masë që është analizuar mirë, pasi është vendim i pakthyshëm”.

Ai thotë se mirëqenia e qytetarëve nuk është rritur në ato përmasa, sa të mund të përballojnë rritjen e çmimeve, sipas tij Qeveria duhet të vijë me një sërë masash tjera.

“Ekonomia e Kosovës dhe mirëqenia e qytetarëve në përgjithësi nuk është se është rritur në përmasa të atilla që të mund të balancoj këtë rritje të çmimeve dhe të mund të përballoj këto çmime”.

“Është mjaftë e rëndësishme që Qeveria të vjen me një pako të masave në sektorin e energjisë, ku duhet themeluar fondi i konsumatorëve në nevojë, duhet të ketë kampanja të vetëdijësimit për konsumatorët dhe të ketë një program të investimit në efiçiencën e energjisë. Pastaj të kemi një zbritje të përkohshmë të akcizës në naftë që do ndikojë në uljen e çmimit të naftës”.

Si përfundim Abazi tha se tashmë shpresojnë që krejt kjo krizë të zbutet në muajt në vazhdim.

“Ne shpresojmë që kriza do filloj të zbutet në muajt në vazhdim, gjithashtu konsiderojmë se tashmë nuk kemi rritje të çmimeve të energjisë deri në muajin prill. Në këtë kuptim shpresojmë shumë që në rishikimin e ardhshëm tarifor të mos kemi kosto të larta që do mund të ndikonin në rritjen e energjisë. Qeveria e Kosovës natyrisht që duhet të sjell strategji të reja dhe të ketë parasysh aspektin e mbrojtjes së konsumatorit”.

E, nga ana tjetër njohësi i çështjeve ekonomike, Erton Bega, në një deklaratë për Ekonomia Online tha se paga minimale është shumë e ulët, dhe që nuk ka pasur ndryshime më shumë se një dekadë.

“Së pari paga minimale është shumë e ulët dhe nuk është ndryshuar për më shumë se një dekadë, Qeveria para se të vije në pushtet ka premtuar që do ta ngrit pagën minimale dhe është momenti që të ngritet për shkak të të gjitha rrethanave ekonomike dhe duke pasur parasysh këtu edhe inflacionin”.

Bega tha se ngritja e çmimeve ka ardhur si rezultat i ngritjes së çmimeve në tregun global.

“Ngritja e çmimeve ka ardhur si rezultat i ngritjes së çmimeve në tregun global. Ekonomia jonë është një ekonomi konsumuese që bazohet në import prandaj inlacioni është i importuar. Shkaqet e inflacionit në nivel global ndërlidhen me mbylljen totale që patëm në vitin e kaluar me rastin e pandemisë, dhe pas hapjes e duke i parë parasysh paketat e shumta ekonomike të vendeve të fuqishme, atëherë në mënyrë të menjëhershme është ngritur kërkesa për mallra dhe shërbime në tërë botën”, theksoi tutje ai.

Si përfundim Bega thotë se Qeveria duhet të kujdeset më shumë për ato grupe të shoqërisë që nuk arrijnë të përballojnë as çerekun e shpenzimeve të konsumit.

“Qeveria nuk duhet të kujdeset vetëm për puntorët të cilët preken nga buxheti i shtetit, por duhet të mendoj për të gjithë popullatën dhe sidomos ato grupe të shoqërisë që paguhen me një pagë që nuk mund të përballoj as çerekun e shpenzimeve të konsumit”.