Kërcënojnë veteranët do ta bllokojmë Kuvendin

3 vite më parë

Kërcënojnë veteranët do ta bllokojmë Kuvendin

Organizatat e Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë paralajmëruar bllokadë të punës së Kuvendit nëse nuk përmbushet një kërkesë e tyre. Përfaqësuesi i OVL-UÇK-së, Xhavit Jashari ka thënë se sugjerimi i tyre është që institucionet e vendit ta kthejnë në rishqyrtim ligjin për Specialen.

“Do të jemi këmbëngulës me qëndrimet  tona që kjo të ndodhë në parlament në të kundërtën nuk do të lejojmë vazhdimin e seancave pa e rikthy në rishqyrtim ligjin për Gjykatën Speciale”, ka thënë ai për Indeksonline.

Më tej, Jashari ka konfirmuar pjesëmarrjen e shumë veteranëve të UÇK-së në protestën e nesërme (e shtunë) për vendimin e padrejtë të autoriteteve franceze ndaj gjeneralit, Ramush Haradinaj.

“Ne jemi duke u konsultuar me organet tona, degët nëpër komuna të Kosovës për bashkëngjitje të protestës. Do të jemi pjesë e protestës dhe mendojmë se është vendim i padrejtë e politik ndaj Ramush Haradinajt. Shikojeni rastin e z.Haradinaj që bën lojë nga një shtet siç është Franca, i cili thirret në emër të drejtësisë dhe bën padrejtësi, kjo është një turp i atij shteti por gjithsesi është turp i institucioneve tona që kanë bërë pak”, ka thënë ai./ Indeksonline