Keqmenaxhimi në projektet milionëshe të teknologjisë informative

1 muaj më parë

Keqmenaxhimi në projektet milionëshe të teknologjisë informative

Projekte paralele e investime të dyfishta janë bërë nga institucionet publike në fushën e teknologjisë së informacionit gjatë viteve 2015-2018. Ato kanë hyrë në investime pa bërë identifikimin e nevojave për projekte, pa analiza të fizibilitetit për zhvillimin e projekteve, si dhe pa bërë hulumtim të çmimeve të tregut.

Këto konstatime janë paraqitur në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, “Organizimi dhe menaxhimi i investimeve të teknologjisë së informacionit në institucionet publike”, gjatë së cilit është bërë vlerësimi për zhvillimin e qeverisjes së teknologjisë së informacionit dhe menaxhimit të investimeve në këtë fushë.

Në auditimin e ZKA-së janë përfshirë Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, Ministria e Financave me Administratën Tatimore të Kosovës dhe Doganën e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme me Agjencinë e Regjistrit Civil, si dhe komunat e Pejës dhe të Prizrenit, shkruan KOHA.

Në raportin e publikuar këto ditë, është konstatuar se ka mungesë të theksuar të bashkëpunimit ndërmjet ministrive për shfrytëzim më optimal të infrastrukturës së teknologjisë informative, e cila ka rezultuar me shfrytëzim jo optimal të pajisjeve të TI-së, menaxhim jo të mirë të shërbimeve, si dhe rritje të shpenzimeve financiare.

Sipas raportit, Agjencia e Shoqërisë së Informacionit nuk ka bërë përpjekje të vazhdueshme për miratimin e strategjisë për qeverisje elektronike.

“IRK-të kanë zhvilluar projekte paralele për nevojat e tyre, duke krijuar kështu shpenzime të panevojshme dhe investime të dyfishta”, thuhet në raport.

Viteve të fundit, me synim të përmirësimit të ofrimit të shërbimeve, institucionet publike në Kosovë kanë investuar në infrastrukturën e TI-së dhe kanë vendosur një numër të sistemeve elektronike. Për vitet 2015, 2016, 2017 dhe 2018 institucionet publike kanë shpenzuar rreth 49 milionë euro në fushën e teknologjisë së informacionit. Ndërsa, deri tani numri i aplikacioneve softuerike kryesore që shfrytëzohen në të gjitha institucionet publike në vend është rreth 10014. Sektori publik është klienti kryesor i industrisë së TI-së në tregun vendor.

Raporti tregon se institucionet e Republikës së Kosovës të audituara nuk kanë strategji të aprovuar për teknologji të informacionit.