KEK-ut i bien të gjitha blloqet e termocentralit “Kosova A”

1 muaj më parë

KEK-ut i bien të gjitha blloqet e termocentralit “Kosova A”

Derisa kompania për distribuimin e energjisë elektrike KEDS tash e disa ditë po paralajmëron krizë të thellë energjetike si pasojë e rritjes enorme të çmimeve, këtë situatë e rëndon edhe më shumë fakti se sot kanë rënë nga prodhimi edhe dy termocentrale të Kosovës A.

Burime brenda KEK-ut kanë bërë të ditur për Gazetën Infokus se tashmë Kosova A është krejtësisht jashtë funksionit.

Dy blloqet të cilat kanë qenë në prodhim të këtij termocentrali kanë dalë jashtë sistemit si pasojë e pakujdesisë dhe mos reagimit në kohë të duhur për eliminimin e këtyre pasojave.

Gazeta Infokus mëson se kanë rënë dy blloqet A3 dhe A5 të Termocentralit ‘Kosova A’, derisa A4 prej disa ditësh është në remont total.

Aktualisht prodhimi vendor i energjisë elektrike nga KEK-u është vetëm 500 megavat në orë energji elektrike.

Gazeta Infokus ka kontaktuar me zyrën e informimit në Korporatën Energjetike të Kosovës por të njëjtit nuk kanë dhënë detaje derisa kanë kërkuar që pyetjet të bëhen në mënyrë zyrtare përmes emailit.

Ndërkohë për Gazetën Infokus, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala ka konfirmuar se aktualisht prodhimi që vjen nga KEK-u është vetëm 500 megavat.

Ndërsa Buzhala ka thënë se konsumi për orë është 900 deri në 920 megavat./Gazeta Infokus/