KEK-u synon ta shndërrojë deponinë e hirit në oazë të gjelbër, u mbollën 3500 fidanë

5 ditë më parë

KEK-u synon ta shndërrojë deponinë e hirit në oazë të gjelbër, u mbollën 3500 fidanë

Zona, që për 50 vjet shërbente si deponi e hirit dhe djerrinës, po rikultivohet nga Korporata Energjetike e Kosovës.

Në hapësirën prej 3.5 hektarësh, që ndodhet mes Fushë Kosovës e Obiliqit po përfundon procesi i mbjelljes së 3500 fidanëve, raporton KTV.

Synohet që të mbillen mbi 80.000 fidanë në mbi 80 hektarë.

Nga ky projekt, pritet të përfitojnë tri komuna që kanë pasur probleme të mëdha me ndotjen.

Edmond Nulleshi, Drejtor ekzekutiv i Shërbimeve të KEK-ut, ka bërë të ditur se kanë filluar diskutimet me Bankën Botërore për një projekt tjetër për rikultivimin e plotë të të gjithë zonës, e cila më pas do të jetë në dispozicion për shfrytëzim nga komuniteti.

Korporata Energjetike e Kosovës nga viti 2015, kur përfundoi investimet në vlerën prej rreth 60 milionë eurove, filloi procesin e investimeve edhe për uljen e ndotjes.

Një nga projektet më të mëdha, i financuar nga BE-ja, është edhe ndërrimi i elektrofiltrave në Termocentralin Kosova B.