Kë kanë zgjedhur palët në betejën për votën që mund ta rrëzojë Qeverinë Hoti

2 muaj më parë

Kë kanë zgjedhur palët në betejën për votën që mund ta rrëzojë Qeverinë Hoti

Nesër pritet që GJK-ja në një seancë publike të dëgjojë opinionet e palëve, derisa në fund do të publikohet edhe verdikti lidhur me ligjshmërinë apo jo të votës së deputetit Etem Arifi.

Një vendim pro Vetëvendosjes sjell një situatë të re politike në vend.

Gazeta Express ka kontaktuar me palët që janë të përfshira e do të marrin pjesë në seancën e nesërme.

Partia që udhëhiqet nga Albin Kurti, një ditë para seancës ku do të diskutohet ligjshmëria e votës së deputetit Etem Arifi, shprehen të bindur se epilogu do të jetë në favor të tyre.

Deputeti Artan Abrashi ka thënë për Gazetën se në këtë seancë si përfaqësues të LVV-së do të jenë ai dhe anëtari i kësaj partie, Blerim Sallahu.

“Nesër mbahet seanca dëgjimore, rasti ka të bëjë me Kushtetutshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi. Në këtë seancë do të marrë pjesë unë si dërgues i kërkesës për interpretim dhe aktivisti nga Lëvizja Vetëvendosje, Blerim Sallahu si palë e autorizuar për të paraqitur argumentet juridike pse besojmë që qëndrimi jonë është i drejtë”, thotë Abrashi, duke shtuar se kanë argumente se kjo qeveri është jolegjitime.

“Nga ajo seancë ne presim që menjëherë pasi marrin argumentet të vlerësojnë objektivisht në mënyrë transparente çdo argument që e paraqesim, besojmë që e drejta është në anën tonë, provat janë të dukshme që automatikisht Kushtetuesja ta marrë vendimin për zhbërjen e qeverisë Hoti. Ne kemi argumente që kjo qeveri është jolegjitime”, thotë ai.

Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë kërkuar që kjo çështje të mos zvarritet edhe më tutje nëpër procedura.

Si palë në këtë çështje nesër do të marrin pjesë në seancë edhe nga Qeveria. Ekzekutivi që udhëhiqet nga Avdullah Hoti e ka angazhuar për t’i përfaqësuar nesër avokatin Besnik Berisha.

“Në seancën publike të GJK-së, Qeveria e Kosovës do të përfaqësohet nga avokati Besnik Berisha”, ka thënë për Express, zëdhënësja e Qeverisë, Antigona Baxhaku.

Gazeta e ka kontaktuar avokatin Berisha për ta pyetur rreth seancës, si dhe për angazhimin e tij në Qeveri.

Berisha i tha Expressit se nuk është korrekte që të deklarohet për media një ditë para seancës, e se kur është angazhuar mund të tregojnë vetëm ekzekutivi.

Megjithatë, të pyetur nga Express, në Qeverinë e Kosovës nuk kanë dhënë detaje për angazhimin e Berishës.

“Avokat i Qeverisë është, detaje tjera nuk e di”, ka thënë zëdhënësja e Qeverisë, e pyetur për sqarime lidhur me këtë çështje.

Pos Berishës në Qeveri, LDK-ja me gjasë nuk do të jenë palë në këtë proces me një përfaqësues të subjektit.

Megjithatë, një anëtarë i Lidhjes Demokratike ka marrë ftesë për të qenë pjesë e seancës së nesërme.

Kreu i Komisionit për Legjislacion, Shkëmb Manaj e ka konfirmuar për Express se do të jetë pjesë e seancës, por, që thotë se ai është ftuar vetëm në cilësinë e kryetarit të komisionit.

“Në këtë seancë do të marrë pjesë si kryetar i komisionit për legjislacion, pra jam i ftuar vetëm si pjesë e komisionit jo si anëtarë i LDK-së, pasi që kjo çështje është trajtuar në komisionin tonë, do të përgjigjemi rreth punës që është bërë”, tha Manaj.

Nga Kuvendi i Kosovës, si përfaqësues i zyrës së kryeparlamentares, Vjosa Osmani do të jetë këshilltari ligjor i saj, Artan Murati. Këtë e kanë konfirmuar për Gazetën nga kabineti i Osmanit.

Express ka kontaktuar edhe partitë politike. Megjithatë, të njëjtat nuk do të marrin pjesë si palë.

“As nuk na kanë ftuar si palë, as nuk kemi dërguar komente e as nuk do të marrim pjesë”, ka thënë zëdhënsi i PDK-së, Avni Bytyçi.

Seanca publike ku do të diskutohet për ligjshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi do të fillojë nesër në ora 10:00. Kjo seancë do të bëhet përmes video-konferencës, për shkak të pandemisë.

Nesër palëve të përfshira do t’u jepet mundësia që shkurtimisht t’i paraqesin argumentet e tyre përmes prezantimeve.

Ato duhet të jenë të kufizuara vetëm në fakte dhe në çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me kërkesën. Kryetari mund t’ia kufizojë secilës palë periudhën kohore të caktuar për këtë prezantim, derisa, gjatë seancës, gjyqtarët mund t’u parashtrojnë pyetje përfaqësuesve të palëve, ose drejtpërsëdrejti cilësdo palë.

Pas përfundimit të seancës dëgjimore, Gjykata do të tërhiqet për këshillim. Të njëjtat mbeten konfidenciale, derisa merret vendim për rastin dhe përgatitet projektvendimi i Gjykatës.

Etem Arifi ishte njëri prej 61 deputetëve që votoi pro zgjedhjes së Qeverisë Hoti. Për partinë e Albin Kurtit, Vetëvendosjen, e cila ishte rrëzuar nga pushteti, vota e deputetit të Partisë së Ashkalinjve është jovalide për faktin se ai është dënuar për korrupsion me vendim përfundimtar të Gjykatës.

Për këtë arsye LVV-ja ishte drejtuar për interpretim në Kushtetuese. Cilido vendim i këtij organi mund të sjellë një situatë të re politike në vend.