Katër vjet nga triumfi i madh i Portugalisë në EURO 2016 dhe pa Cristiano Ronaldon

4 javë më parë

Katër vjet nga triumfi i madh i Portugalisë në EURO 2016 dhe pa Cristiano Ronaldon

Përderisa filluan kualifikimet për kampionatin evropian të futbollit “Euro 2016”, pakkush do ta llogariste Portugalinë fituese të turneut – një komb me talente të mëdha të futbollit, por pa trofe në garat ndërkombëtare.

Dhe ende para se të rrokullisej topi i parë në rrugën drejt Evropianit, përzgjedhësi i kësaj kombëtareje Fernando Santos, profetizoi një fitore të pamundur.

“Që nga momenti i parë, nga ndeshja e parë kualifikuese, ai tha: ‘Ne do ta fitojmë kampionatin’”, i thotë CNN Sportit, mbrojtësi i djathtë portugez, Cedric Soares.

“Ai e shkroi këtë në tabelë. Në atë kohë, askush me të vërtetë nuk e besoi. Dhe gjatë ndeshjeve kualifikuese ai e kishte shkruar sërish mesazhin e njëjtë në tabelë. ‘Ne do ta fitojmë Euro 2016’. Ne ende as nuk ishim kualifikuar! ”

Nga e premtja, janë bërë katër vjet që nga fitorja 1:0 e Portugalisë ndaj Francës në finalen e kampionatit evropian. Nikoqirët, Kombëtarja e Francës kishte pasur një rrugë shumë të lehtë deri në finale dhe ishin favoritët kryesorë për ta fituar Evropianin në vendin e tyre. Por, pengesa e tyre ishte gjuajtja e saktë nga distanca e Ederit në vazhdime, për t’ua prishur festën francezëve në “Stade de France” të Parisit dhe për t’i dhuruar Portugalisë momentin e lavdisë në futbollin ndërkombëtar.

Dhe kjo u arrit pa liderin frymëzues të kombëtares, superyllin dhe pesë herë futbollistin e vitit, Cristiano Ronaldo, i cili gjatë pjesës së parë, me ndihmën e bashkëlojtarëve po largohej i përlotur nga fusha e lojës, pasi dëmtoi gjurin në një duel me Dmitri Payet.

Ronaldo, të cilit iu mohua lavdia evropiane më 2004 me humbjen në finale ndaj Greqisë, do ta kalonte pjesën e mbetur të lojës i stresuar, në këmbë, pa pushim përgjatë skajeve të fushës dhe duke dhënë urdhra për bashkëlojtarët si të ishte ai trajneri i Portugalisë.

Për lojtarët e tjerë në fushë, mungesa e kapitenit të tyre paraqiti një sfidë të vështirë e të pakalueshme.

“Ishte e vështirë për t’u përballuar”, thotë mbrojtësi Jose Fonte për CNN Sport, ndërsa kujton ndeshjen finale.

“Por, sapo (Ronaldo) u largua nga loja, ne po shikonim njëri-tjetrin dhe pashë qëndrueshmërinë te bashkëlojtarët e mi. Pashë se ata po shtrëngonin dhëmbët dhe u thashë: Ta bëjmë këtë. Do të jetë sot pa Ronaldon. Duhet ta bëjmë pa të, duhet të punojmë edhe më shumë.

“Ky ishte qëndrimi ynë gjatë lojës dhe gjatë pjesës së parë – ne thjesht ruajtëm besimin. Kjo gjë na bëri edhe më të fortë.”