Katër milionë euro në dy komunat e Drenicës

4 vite më parë

Katër milionë euro në dy komunat e Drenicës

Derisa në Skenderaj Ministria e Arsimimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës do të investojë mjete për t’i përfunduar projektet e dy shkollave, të cilat kanë filluar të ndërtohen para katër vjetëve, si dhe në disa projekte të reja shkollore në Drenas, Ministria e Infrastrukturës do të investojë rreth 2 milionë euro për projekte kryesisht të infrastrukturës rrugore

Rreth 4 milionë euro do t’i investojnë Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës dhe Ministria e Infrastrukturës për përfundimin e një varg projektesh shkollore dhe infrastrukturore në komunat e Drenicës, Skenderaj e Drenas.

Në komunën e Skenderajt, krahas projekteve të reja, do të investohet për përfundimin e ndërtimit të dy objekteve shkollore që kanë filluar para 4 vjetëve, ndërsa në komunën e Drenasit do të investohet kryesisht për projekte të infrastrukturës rrugore.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës dhe komuna e Skenderajt janë dakorduar për vazhdimin e projekteve të përbashkëta shkollore të filluara para 3-4 vjetëve, siç është ndërtimi i objektit të gjimnazit “Hamzë Jashari” dhe i objektit të shkollës fillore “Dëshmorët e Qyqavicës” në Qirez, shkruan Zëri.

Zëvendësministri i MASHT-it, Mevludin Krasniqi, ka thënë se do të investohet për përfundimin e këtyre dy objekteve shkollore gjatë këtij viti, ndërsa me bashkëfinancim do të realizohen edhe projekte të reja. Rreth 2 milionë euro vlerësohet se do të investohen për përfundimin e projekteve të filluara shkollore dhe për fillimin e realizimit të disa projekteve të tjera me bashkëfinancim, por edhe me mjete buxhetore të komunës së Skenderajt.