Katër kandidatë synojnë postin e drejtorit të Teatrit të Gjilanit

2 vite më parë

Katër kandidatë synojnë postin e drejtorit të Teatrit të Gjilanit

Ekrem Sopi, Bashkim Nexhipi, Kadri Nuhiu dhe Bekim Korca janë katër kandidatët e konkursit të fundit për drejtor të Teatrit të Gjilanit. Por këta katër kandidat ende nuk e kanë të sigurt se a do të vazhdojnë në procedurat e mëtejme, pasi që, edhe ky konkurs është shtyrë, si pasojë e mos plotësimit të numrit që kërkohet me ligj, shkruan KultPlus.

Teatri Profesionist i Gjilanit po vazhdon të udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës së drejtorit si pasojë e dështimit të disa konkurseve me radhë. Një konkurs për nxjerrjen e më të mirit për menaxhimin e këtij institucioni kulturor është mbyllur më 3 shkurt, por edhe ky konkurs do të shtyhet edhe për një javë të tërë, pasi që, duke iu referuar ligjit për teatër, për këtë konkurs do të duhej të konkurronin mbi pesë kandidatë, e jo katër sa kanë konkurruar.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar për KultPlus, kryetari i Këshillit Drejtues të Teatrit të Gjilanit Sabedin Shahiqi, i cili tha se në këtë konkurs kanë aplikuar vetëm katër kandidatë, ndërsa ligji thotë se duhet të jenë së paku pesë. “Nuk është bërë numri i plotë i tyre, janë vetëm katër kandidatë të paraqitur, ndërsa sot e kemi bërë vazhdimin e konkursit edhe për një javë, pasi që, sipas ligjit duhet të jenë pesë”, tha kryetari i KD-së së Teatrit të Gjilanit Sabedin Shahiqi, i cili tutje tha se nëse as pas një jave nuk aplikojnë më shumë se katër kandidatë, atëherë edhe ky konkurs do të anulohet.

Ekrem Sopi, Bashkim Nexhipi, Kadri Nuhiu dhe Bekim Korca janë kandidatët të cilët aplikuan në konkursin e fundit për të parin e Teatrit të Gjilanit. Teatri i Gjilanit ka mbi shtatë muaj që është pa drejtor e krejt kjo si pasojë e anulimit të shumë konkurseve që u patën hapur