Karateistët synojnë pikë në Dubai për turneun kualifikues të Parisit, që vlen për kualifikim në “Tokio 2020”

5 muaj më parë

Karateistët synojnë pikë në Dubai për turneun kualifikues të Parisit, që vlen për kualifikim në “Tokio 2020”

Premier Liga e Dubait 2020, që mbahet prej 14-16 shkurt 2020 është stacioni i radhës i karateistëve në rrugën drejt kualifikimit për në Lojërat Olimpike Tokio 2020.

Gara e Dubait të Emirateve të Bashkuara Arabe është njëra prej më të rëndësishmeve për mbledhjen e pikëve për normë Olimpike.

Në Dubai vendin tonë do ta përfaqësojnë katër karateistët: Adelina Rama (-61 kg), Fortesa Orana (+68 kg), Elhami Shabani (-75 kg) dhe Herolind Nishevci (+84 kg).

Sipas përzgjedhësit, Ylber Syla, synimet e tyre janë grumbullimi i sa më shumë pikëve për kualifikim në turneun kualifikues të Parisit, që vlen për kualifikim direkt në LO Tokio 2020.

“Presim paraqitje të mirë. Forma e garuesëve është e mirë. Synimi është të mbledhim edhe pikë për kualifikim në garën e Parisit, dhe më pas synojmë kualifikimin për Tokio 2020”, tha Syla për Komitetin Olimpik të Kosovës.

Turneu kualifikues Paris 2020 mbahet prej 8-10 maj të këtij viti. Për të marrë pjesë në këtë garë, garuesit tanë duhet të jenë në mesin e top 50 garuesëve më të mirë në kategori në renditjen botërore.

Pikërisht në Paris, karateistët i kanë shpresat më të mëdha për të fituar normën Olimpike, pasi bazuar në renditjen Olimpike, shpresat janë shumë të vogla, pavarësisht se deri në përfundim të kualifikimit Olimpik mbeten edhe garat tjera si në Dubai, Salzburg, Rabat, Madrid e Moskë.

Momentalisht Herolind Nishevci është i 26-ti në renditjen botërore, Elhami Shabani i 56-ti, Fortesa Orana e 29-ta dhe Adelina Rama e 90-ta.

Në Premier Ligën e Dubait, nesër garon Elhami Shabani, ndërsa të shtunën tre garuesit tjerë: Herolind Nishevci, Fortesa Orana e Adelina Rama.

KOK iu uron fat dhe suksese sportistëve tanë, dy prej të cilëve (Nishevci e Orana) janë edhe bursistë Olimpikë Tokio 2020.