Kaos në Minneapolis: Plaçkitje dhe protesta të dhunshme për vdekjen e 46-vjeçarit

1 muaj më parë

Kaos në Minneapolis: Plaçkitje dhe protesta të dhunshme për vdekjen e 46-vjeçarit

Me qindra njerëz protestuan rrugëve të Minneapolis, Minnesota, SHBA, në mbrëmje vonë për vdekjen e George Floyd, një njeri me ngjyrë, 46 vjeç, i cili ndërroi jetë duke kërkuar ndihmë, teksa një oficer policie e shtriu në tokë dhe i bllokoi frymëmarrjen duke i vendosur gjurin në qafë.

Floyd u arrestua të hënën pas një telefonate ku thuhej se një burrë po përdorte një kartëmonedhe false 20 dollarëshe. Policët e gjetën Floyd brenda një makine dhe thanë se “rezistoi fizikisht” pasi doli nga automjeti, ndërkohë që në një tjetër video rezulton se 46-vjeçari nuk bëri rezistencë. Videot nga kalimtarët tregojnë se Floyd i prangosur qëndronte i shtrirë në tokë, teksa oficeri i vendoste gjurin në qafë. “Ju lutem, nuk marr dot frymë,” dëgjohet të thotë i ndjeri. “Më dhemb stomaku. Më dhemb qafa. Më dhemb gjithçka.” Në një tjetër moment, Floyd tha: “Më jep pak ujë ose diçka. Të lutem. Të lutem.”

Demostratat, të cilat filluan të mërkurën, qenë fillimisht paqësore, por u kthyen në “jashtëzakonisht të rrezikshme”, sipas guvernatorit të Minneasota-s, Tim Walz. “Situata pranë Lake Street dhe Hiawatha në Minneapolis ka evoluar në një situatë jashtëzakonisht të rrezikshme,” tha ai në Twitter. “Për sigurinë e të gjithëve, ju lutem lejoni zjarrfikëset dhe ekipin mjekësor të dalë në vendngjarje.”

Policët krijuan një barrierë, ndërkohë që protestuesit goditën me sende. Autoritetet u përgjigjën me gaz lotsjellës. Ndër të tjera, protestuesit kanë plaçkitur dhe dëmtuar dyqane nëpër rrugë.

  

Një avokat që përfaqëson familjen e Floyd tha në një deklaratë se ai dhe të afërmit e Floyd bëjnë thirrje për protesta paqësore dhe distancim social mes pandemisë së koronavirusit.

Kryetari i Minneapolis, Jacob Frey, bëri thirrje për kallëzim penal kundër katër oficerëve të policisë së përfshirë në incidentit tragjik, të cilët për momentin janë pushuar nga puna. Shefi i policisë së Minneapolis nuk pranoi të diskutojë për vdekjen e Floyd, por tha se veprimet e oficerëve të policisë “në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë vlerat, vizionin dhe kulturën” e departamentit të policisë.

Floyd u shpall i vdekur në një spital aty pranë, menjëherë pas ngjarjes. Shkaku dhe mënyra e vdekjes është ende në hetim, në të cilin është përfshirë edhe FBI.

/anabel