Kandidati i VV për kryetar të Mitrovicës së Veriut: Jam mjaft optimist, me PDK-në s’është i mundur koalicioni

2 muaj më parë

Kandidati i VV për kryetar të Mitrovicës së Veriut: Jam mjaft optimist, me PDK-në s’është i mundur koalicioni

Erden Atiq, kandidat nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës Veriore, është shprehur optimist për këto zgjedhje.

“Jam më optimist në këtë drejtim se kandidati im. Vij prej subjektit politik, më të madhit në vend dhe ‘feedbacku’ që po e marrim prej terrenit është shumë i mirë. S’mund të flas me shifra të sakta, por secilën fushatë dhe zgjedhje fatmirësisht numri i votave po na rritet, përfshirë edhe Mitrovicën e Veriut. Është kandidatura ime e tretë; në secilin proces zgjedhor ne po shkojmë duke u rritur dhe jam shumë optimist në këtë drejtim”, ka thënë Atiq në Info Magazine në Klan Kosova.

Sipas Atiq, nuk është i mundur koalicioni me PDK-në, as në nivel lokal.

“Nuk është diskutuar, është temë e ndjeshme. Në procesin e mbarëvajtjes së zgjedhjeve, edhe sfidat problemet që i kemi pasë prej subjekteve p.sh Listës Serbe, nuk është që edhe subjekti i PDK-së ka mbetur prapa; me skandale, me shkelje të ligjit, me blerje të votave, me punësime në kohë fushatë e të tjera”, është shprehur ai në Info Magazine në Klan Kosova.

“Nuk është e mundur me bo koalicion me një subjekt politik, i cili në mënyrë aktive ka funksionuar vetëm për interesa. Gjithkund ka ose korrupsion ose mosdije, në nivelin më të skajshëm të mundshëm. Si është e mundur me bo koalicion me dikë i cili qasjen që e ka me VV-në nuk dallon me Listën Serbe”.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunën e Mitrovicës së Veriut, do të mbahen me 29 nëntor.