Kampionia sfidon liderin

1 muaj më parë

Kampionia sfidon liderin

Te Drita janë të vendosur për ta vazhduar ecurinë pozitive këtë edicion, por njëkohësisht synojnë që skuadrës së Ballkanit t’ia shkaktojnë humbjen e parë. Kampionia e Kosovës në futboll do të udhëtojë drejt Suharekës për ta fituar ndeshjen derbi.

Dueli mes Ballkanit dhe Dritës do të zhvillohet të mërkurën (sot) prej orës 14:00 në kuadër të xhiros së shtatë të Superligës së Kosovës. Në fakt, këto dy skuadra janë të vetmet që nuk dinë për humbje këtë sezon. Ballkani është lider me 16 pikë të tubuara, derisa Drita ka tubuar dhjetë pikë dhe ka dy ndeshje më pak të zhvilluara, shkaku i angazhimeve që i kishte në raundet eliminatore të Ligës së Evropës. Në katër ndeshje të luajtura deri më tash, Drita ka tri fitore dhe një barazim, të cilin e regjistroi vikendin e shkuar në derbin përballë Gjilanit, ku luajti pa gola.

Sulmuesi i Dritës, Astrit Fazliu, e ka cilësuar duelin me Ballkanin si derbi të vërtetë të kësaj xhiroje dhe ka shtuar se gjilanasit do ta kërkojnë fitoren që nuk do të jetë aspak e lehtë.

“Na pret një ndeshje e fortë kundër Ballkanit dhe besoj se do të jetë një derbi i vërtetë, duke pasur parasysh se jemi ekipet e vetme pa humbje këtë edicion. Edhe në këtë ndeshje, si në të gjitha të tjerat, ne do të futemi për fitore dhe jemi të përgatitur për këtë”, është shprehur Fazliu. “Shpresoj ta kemi ditën tonë për t’i marrë pikët e plota nga Suhareka. Mund ta fitojmë ndeshjen pasi kemi përvojën dhe cilësinë në ekipin tonë dhe lojtarë që janë të përgatitur maksimalisht për ndeshje të tilla, të veçanta”. Edhe te Ballkani kanë synimin e njëjtë sikurse Drita – t’ia shkaktojnë humbjen e parë këtë edicion kampionit. Ballkani ka treguar formë të mirë ku i ka fituar pesë prej gjashtë ndeshjeve të zhvilluara. Me fitore eventuale ndaj Dritës, Ballkani vetëm se do ta përforconte edhe më shumë pozitën e parë. Mesfushori Meriton Korenica beson se kjo seri e fitoreve do të vazhdojë edhe me Dritën.

Superliga në futboll – VII

E martë

Besa – Llapi 2:2

(Haxhiu 73’, Tahiri 85’ – Hoti 19’, Ramadani 30’ )

Drenica – Arbëria 0:1

(Hamiti 7’ ag.)

E mërkurë (14:00)

Ballkani – Drita

(Arbitra: G. Nuza, F. Berisha, B. Morina, V. Kastrati)

Feronikeli – Prishtina

(T. Maloku, E. Zeqiri, B. Këpuska, M. Bejtullahu)

Gjilani – Trepça ‘89

(A. Shala, G. Hyseni, E. Bicaj, B. Ajeti)

Image