Kampioni fiton, por mbeten sërish pa Durantin

5 ditë më parë

Kampioni fiton, por mbeten sërish pa Durantin

Stephen Curry dhe Klay Thompson u kombinuan për tre trepikësha në tre minutat e fundit dhe kështu ndihmuan skuadrën kampione të NBA-së, Golden State Warriors të mposhtë Toronton (106:105), të martën në mëngjes (sipas kohës lokale në Kosovë) për të mbajtur shpresat gjallë në serinë finale të NBA-së.

Toronto tentoi t’i fitonte ndeshjen dhe titullin me gjuajtjen e fundit të Kyle Lowryt për tri pikë, por ishte i pasaktë, transmeton Koha Ditore shkrimin e Reuters.

Tash rezultati i përgjithshëm është 3-2 në të mirë të Torontos, kurse seria bartet në Oakland të Kalifornisë për ndeshjen e gjashtë që luhet të premten. Skuadra që fiton katër ndeshje shpallet kampione dhe Toronto ishte shumë afër kësaj.

Curry ndeshjen e përfundoi me 31 pikë, tetë kërcime dhe shtatë asistime. Thompson shtoi 26 pikë, derisa DeMarcus Cousins kontribuoi me 14 pikë.

“Tentimet e huqura nuk ma humbën vetëbesimin. Do të jem plotësisht i gatshëm për ndeshjen e gjashtë, ku besoj se do të kem saktësi më të madhe. Kam besim të madh dhe ende shumë për t’i dhënë ekipit, pavarësisht se është shumë vështirë. Me këtë fitore i kemi dhënë vetes edhe një mundësi dhe ndeshja e gjashtë do të jetë një luftë e vërtetë”, tha Curry, i cili prej 14 tentimeve për tri pikë, i qëlloi vetëm pesë.

Për ndeshjen e pestë, Golden State pati edhe ndihmën e Kevin Durantit, i cili u kthye pas lëndimit që e mbajti një muaj jashtë parketit. Durant ishte startues, por u detyrua që të largohej në çerekun e dytë për shkak të lëndimit të nyjës në këmbën e djathtë.