Kadaj-Bujupi: Kurti e Mustafa mashtruan popullin, por nuk po mund ta mashtrojnë Amerikën

4 javë më parë

Kadaj-Bujupi: Kurti e Mustafa mashtruan popullin, por nuk po mund ta mashtrojnë Amerikën

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Donika Kadaj-Bujupi, ka komentuar zhvillimet e fundit në vend në lidhje me taksën.

Kadaj-Bujupi thotë se AAK së bashku me grupet e biznesit janë mobilizuar pas “kthimit të Serbisë në Kosovë që i bëri zoti Kurti me largimin e taksës”.

“Vendimi i Kurtit nuk është përkrahje për bizneset, por përkrahje për Serbinë dhe produktet e saj”.

Ajo thotë se Kurti u kthye në dialog duke hequr taksën pa e ditur si do të jetë epilogu i dialogut.

“Albin Kurti po e kthen Serbinë në treg pa njohje”, ka deklaruar Kadaj-Bujupi në Rtv Dukagjini.

Deputetja opozitare thotë se dy liderët e koalicionit qeverisës mashtruan popullin, por nuk po mund ta mashtrojnë Amerikën dhe partnerët, pasi sipas saj ata kanë dhënë zotim për largim të taksës.

Kadaj-Bujupi thotë se veprimet e Kurtit po i shkojnë në favor presidentit serb, Vuçiq, pasi sipas saj Serbia është në fushatë zgjedhore.

“Veprimi i Kurtit me largimin e taksës, e mban në pushtet Vuçiqin”.

Deputetja e AAK-së thotë se do të ketë veprime në kundërshtim të taksës, por ka shtuar se ato nuk do të bëhen të ditura para se të ndermirën ato.

Kadaj-Bujupi thotë se Kurti po tenton në mënyrë graduale ta largojë taksën në mënyrë që të mos ketë impakt te elektorati i Vetëvendosjes, përcjell Telegrafi.

“Kurti e di se ka aktivistë që kanë rrëzuar kamionë me mallra serbe dhe për ta nuk është i mirëpritur vendimi për largimin e taksës”.

Duke folur për shkarkimet e personave dhe bordeve të ndryshme, deputetja opozitare thotë se Kurti po dëshiron të bëj lajme.

“Kemi rastin e konsulles Diellza Hoti. Ajo ka dhënë dorëheqje për arsye familjare shtatë ditë para se të merret vendimi në qeveri për shkarkime në ambasada. Si është e mundur të shkarkohet dikush që ka dhënë dorëheqje. Letra e dorëheqjes i është dorëzuar Ministrisë së Jashtme”, tha ndër të tjera Donika Kadaj-Bujupi.