Jupa i pari që kalon shifrën jubilare, të tjerë i afrohen ndeshjes së 50-të me Kosovën

1 javë më parë

Jupa i pari që kalon shifrën jubilare, të tjerë i afrohen ndeshjes së 50-të me Kosovën

Një gol kishte shënuar Kastriot Jupa për Kosovën, më 1 nëntor të vitit 2014. Përfaqësuesja e hendbollit kishte humbur 30:16 nga Rumania. Ndeshja ishte luajtur në Prishtinë dhe ishte e para e fazës së parë kualifikuese për Euro 2018. Ishte edhe ndeshja e parë zyrtare për Përfaqësuesen e Kosovës.

Gjakovari Jupa vazhdon të luajë për Kosovën. Madje është njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm. 29-vjeçari nuk ka munguar në asnjë ndeshje të Kosovës që nga atëherë. Dhe kështu ka arritur dhe tashmë ka kaluar shifrën jubilare prej 50 ndeshjeve.

Pivoti Jupa bëhet i pari prej sportistëve që regjistron 50 ndeshje për ndonjë përfaqësuese të Kosovës. Kësaj shifre po i afrohen të tjerë sportistë, kryesisht futbollistë e hendbollistë, por Jupa është i vetmi që e ka arritur.

Sportistët e Kosovës e kanë pritur gjatë ditën që ta prezantojnë vendin në skenën ndërkombëtare. Procesi i ndërkombëtarizimit ka zgjatur shumë më tepër se që ishte menduar dhe shumë sportistë i dhanë fund karrierës pa pasur mundësi ta realizojnë ëndrrën për të luajtur për Kosovën në ndeshje zyrtare.

Hendbollistët nisën me ndeshje para të tjerëve dhe kështu Kastriot Jupa ka kaluar numrin e 50 ndeshjeve. Ai i ka 51 ndeshje e 171 gola të shënuar. Edhe për gola është i pari. Kapiteni Valon Dedaj dhe Deniz Terziqi i kanë nga 41 ndeshje. Dedaj e Jupa janë në përbërje për ndeshjen e së shtunës ndaj Belgjikës.

“Prej se kemi nisur me ndeshje zyrtare, pra prej vitit 2014, nuk kam munguar në asnjë ndeshje me Kosovën. Ndihem krenar që kam arritur këtë shifër të paraqitjeve për shtetin tim. Gjithmonë kam qenë i gatshëm të jap maksimumin tim për vendin, që t’i bëjmë njerëzit tanë krenarë për ne dhe ta vazhdojmë ngritjen që e kemi si grup. Natyrisht që gjithnjë mezi pres që të marr ftesën, në mënyrë që ta jap kontributin tim, deri në atomin e fundit”, ka thënë Jupa për KOHËN.

Federata e Hendbollit e Kosovës e ka përgëzuar hendbollistin e fuqishëm për arritjen e shifrës jubilare të ndeshjeve. Ndeshjen e 50-të Jupa e luajti fundjavën e kaluar ndaj Greqisë. Luajti edhe ndaj Turqisë të mërkurën.

“Gjithnjë në dispozicion të Kombëtares së Kosovës, luftarak e i pandalshëm. I qetë e sportist i vërtetë.

Nuk kemi si mos ta veçojmë ndeshjen e tij të mahnitshme me Rumaninë. Mirënjohje e respekt Jupa jonë”, ka shkruar FHK-ja.

Te hendbollistet, shifra e 50 ndeshjeve mbetet shumë e largët. Aida Stagova i ka 23 ndeshje, ndërsa Fitore Aliu 20. Të tjerat i kanë më pak se 20.

Gjatë vitit me shumë mundësi shifra e 50 ndeshjeve do të arrihet edhe nga futbollistët. Kapiteni Amir Rrahmani dhe mbrojtës tjetër, Mërgim Vojvoda, janë më së afërti. Të dy i kanë nga 43 ndeshje për Kosovën. Fidan Aliti është pas tyre me 39 ndeshje, ndërsa Milot Rashica i ka 38. Vedat Muriqi është afër me 37 ndeshje.

Përfaqësuesja e futbollit ndeshjen e parë zyrtare e ka zhvilluar më 5 shtator të vitit 2016.

Ndërkohë përfaqësuesja e basketbollit ndeshjen e parë zyrtare e ka zhvilluar më 31 gusht të vitit 2016. Fisnik Rugova ka luajtur në 30 prej 32 ndeshjeve të deritashme te Kosovës, pa llogaritur miqësoret. Dardan Berisha i ka 29 ndeshje, ndërsa Gëzim Morina ka arritur në 26 ndeshje.

Volejbolli është shumë më prapa sa i takon numrit të ndeshjeve me përfaqësuese. Durim Rexhepi, Armend Berisha dhe Driton Bytyqi, sipas të dhënave zyrtare, i kanë nga 11 ndeshje. Në volejboll aktivitetet me përfaqësuese, të paktën sa i takon Kosovës, janë më të rralla.

Më shumë ndeshje kanë volejbollistet. Bleona Kadriu, Venera Kadriu e Egzon Geci i kanë nga 16 ndeshje. Basketbollistet vetëm vitin e kaluar kanë nisur me ndeshje zyrtare ndërkombëtare. Ndërkohë futbollistet kanë numër goxha të madh takimet. Sipas të dhënave, Kaltrina Biqkaj, Edona Kryeziu e Blerta Shala kanë kaluar shifrën e 30 ndeshjeve me Kosovën./Koha.net/