Jones mungon ndaj Luksemburgut, zëvendësohet nga Ismaili

1 muaj më parë

Jones mungon ndaj Luksemburgut, zëvendësohet nga Ismaili

Basketbollisti i Kosovës, Shawn Jones e nisi fuqishëm ndeshjen ndaj Islandës. Për 7 minuta të kaluara në parket amerikani i natyralizuar shënoi tetë pikë.

Kosova e fitoi me rezultatin 80:78 ndeshjen ndaj Islandës, të luajtur të enjten mbrëma në Prishtinë. Por e humbi herët Jonesin, që pësoi një lëndim. Ai nuk luajti në tre çerekët e fundit e nuk do të luajë as të dielën në ndeshjen në udhëtim ndaj Luksemburgut, që i takon grupit B të paraeliminatoreve për Botërorin 2023.

Përfaqësuesja të premten ka udhëtuar për në Luksemburg, pa qendrën Jones në delegacion, raporton Koha.net. Jones ka udhëtuar për në Poloni, ku e zhvillon karrierën në nivel klubesh.

“Meriton Ismaili është në ekip në vend të Shawn Jones. Ndërkohë Altin Morina e zë vendin e Leonard Mekajt. Po mundohemi të kemi në dispozicion edhe Divine Mylesin. Ndërrimi Mekaj – Morina është taktik, i shtabit teknik. Ndërkohë Jones mungon për shkak të një lëndimi”, ka njoftuar Elvira Dushku, sekretare e përgjithshme e FBK-së. “Jones ka frakturë. Do të mungojë gjashtë deri në shtatë javë. E kemi dërguar në Poloni. Me Mylesin jemi duke biseduar”, ka shtuar Dushku.

Kosova i ka të natyralizuar pesë basketbollistë amerikanë, ndërsa vetëm njërit i lejohet të luajë. Deri më tani lojtarët e natyralizuar nuk i ka përcjellur shumë fati.

Jones luan për Anwilin në Poloni. Më parë ka luajtur edhe në Izrael, Itali e disa vende tjera. Te Kosova ofron prani fizike nën kosh.

Për shkak të lëndimit, Kosovës po i mungon edhe Lis Shoshi.