Jo, koronavirusi nuk është bërë në laborator – është nga natyra

2 muaj më parë

Jo, koronavirusi nuk është bërë në laborator – është nga natyra

Koronavirusi pandemik që po qarkullon në mbarë botën është shkaktuar nga një virus natyral, nuk është bërë në laborator, ka treguar një studim i fundit.

Përbërja gjenetike e virusit zbulon se SARS-CoV-2 nuk është një mishmash virusesh të njohura, siç mund të pritej të ishte po të ishte bërë nga dora e njeriut. Dhe ka tipare të pazakonta që janë identifikuar vetëm gjatë kohëve të fundit te armadillët lusporë të quajtur “pangolinë”, dëshmi kjo se virusi ka ardhur nga natyra, kanë bërë të ditur Kristian Andersen dhe kolegët e tij, në një raport të 17 marsit, publikuar në revistën shkencore “Nature Medicine”.

Kur Andersen, një ekspert i sëmundjeve infektive në Institutin “Scripps Research” në La Jolla të Kalifornisë dëgjoi për të parën herë për koronavirusin që po përhapej masivisht në Kinë, ai po pyetej se prej nga vinte virusi.

Fillimisht, shkencëtarët menduan se virusi po përhapej prej infektimeve të vazhdueshme që po barteshin nga kafshët në një treg kafshësh në Wuhan të Kinës te njerëzit dhe pastaj edhe nga njeriu në njeri.

Analizat nga studimet e tjera kanë sugjeruar që atëherë se virusi mbase ka kaluar vetëm një herë nga një kafshë te një njeri dhe më pas është përhapur prej njeriut në njeri kah mesi i nëntorit.

Por pak pasi që përbërja gjenetike e virusit u zbulua në janarin e hershëm, nisën të shpërthenin thashethemet se mbase virusi është prodhuar në laborator dhe është liruar qëllimshëm apo aksidentalisht.

Kjo koincidencë fatkeqe u bë burim për teori të konspiracionit, ka thënë Robert Garry, virolog në Universitetin Tulane në New Orleans.

Instituti i Virologjisë në Wuhan ndodhet “në afërsi shumë të madhe” me tregun e kafshëve dhe ka kryer hulumtime rreth viruseve, përfshirë koronavirusët, që rëndom gjenden te lakuriqët e që kanë potencial të shkaktojnë sëmundje edhe te njerëzit.

“Kjo gjë i shtyri njerëzit që të mendojnë se, oh, u ka ikur dhe ka kaluar poshtë kanalit, apo se dikush doli prej laboratorit të tyre dhe shkoi në treg apo diçka e tillë”, ka thënë Garry.

Lirimet aksidentale të viruseve, përfshirë SARS-in, kanë ndodhur nga laboratorët e tjerë në të shkuarën. “Kështu që kjo nuk është një gjë që mund ta mohosh apriori”, ka thënë Andersen.

“Do të ishte marrëzi”.

Në kërkim të të dhënave

Andersen mblodhi një ekip të biologëve evolucionarë dhe virologëve, përfshirë Garrun, nga disa vende të botës për të kryer analiza mbi virusin, në përpjekje për të gjetur të dhëna nëse ka mundur të prodhohej prej dorës së njeriut apo të rritej e lirohej aksidentalisht prej ndonjë laboratori.

“Thamë: ‘Le të jemi të hapur për këtë teori – rreth së cilës ka një mori versionesh – se virusi e ka një origjinë jonatyrore…. si një hipotezë potencialisht serioze’”, tha Anderson.

Duke mbajtur konferenca përmes “Slack” dhe portaleve të tjera virtuale, studiuesit e analizuan përbërjen gjenetike të virusit apo renditjen e ARN-së, për të kërkuar të dhëna rreth origjinës së tij.

U bë e qartë “pothuajse brenda nate” se virusi nuk ishte produkt njerëzor, tha Andersen. Çdokush që shpreson ta krijojë një virus do të duhej të punonte me viruset tanimë të njohura dhe t’i projektojë ashtu që të kenë tipare të dëshiruara.

Por virusi SARS-CoV-2 ka komponentë që dallojnë prej atyre të viruseve të njohur, kështu që duhej ta kishte burimin prej një virusi të panjohur apo viruseve që ndodhen në natyrë.

“Të dhënat gjenetike tregojnë pamohueshëm se SARS-CoV-2 nuk është derivat i ndonjë shtylle virusale të përdorur më herët”, kanë shkruar Andersen dhe kolegët e tij në studimin e tyre.

“Ky nuk është një virus, të cilin mund ta ketë sajuar apo krijuar dikush. Ka tipare të shumta të ndryshme, disa prej të cilave janë krejtësisht të panjohura”, ka thënë Garry. “Nuk e bëni një gjë të tillë po qe se mundoheni të krijoni një virus më vdekjeprurës”.

Me këtë teori pajtohen edhe shkencëtarët e tjerë.

“Nuk shohim kurrfarë dëshmie se virusi është prodhuar apo liruar qëllimshëm”, ka thënë Emma Hodcroft, epidemiologe molekulare në Universitetin e Bazelit në Zvicër. Ajo nuk ishte pjesë e grupit të Andersenit, por është anëtare e një ekipi të shkencëtarëve në “Nextstrain.org” që po i gjurmon ndryshimet e vogla gjenetike në koronavirus për të mësuar më tepër rreth asaj se si është përhapur përreth botës.

Ky zbulim e diskrediton analizën tejet të kontestuar, të postuar në ‘bioRxiv.org”, që thotë se janë gjetur gjurmë të HIV-së në koronavirus, thotë Hodcroft. Shkencëtarët e tjerë i bënë të ditura menjëherë të metat e këtij studimi dhe autorët e tërhoqën raportin, por jo përpara se ai ta ushqente përshtypjen se virusi është i krijuar.

Disa tipare të materialit gjenetik të virusit janë të ngjashëm me HIV-in, por kjo është një gjë që buron prej atyre viruseve që janë të një familjeje, ka thënë Hodcroft. “Faktikisht, pretendimi i tyre ishte njësoj sikur ta marrësh një kopje të ‘Odisesë’ dhe të thuash: ‘Oh, paska fjalë ‘është’ në të’ dhe pastaj të hapësh një tjetër libër, të shohësh fjalën ‘është’ edhe aty dhe të thuash: ‘Oh zot, e njëjta fjalë, duhet të ketë edhe pjesë të ‘Odisesë’ në këtë libër tjetër’”, ka thënë ajo. “Ishte ky një pretendim përnjëmend çorientues dhe punë vërtet e keqe shkencore”.

Gjetja e veçorive karakteristike

Grupi i Andersenit u përqendrua më pas në përcaktimin nëse virusi mund të jetë liruar aksidentalisht nga ndonjë laborator. Kjo është një mundësi reale, ngase hulumtuesit në shumë vende janë duke punuar me koronaviruse që mund potencialisht të jenë infektues për njerëzit, thotë ai.

“Gjërat dalin prej laboratorëve nganjëherë, pothuajse gjithmonë aksidentalisht”, ka shtuar ai.

Disa tipare të papritura të virusit tërhoqën vëmendjen e studiuesve, ka thënë Andersen. Në veçanti, gjeni që e kodon proteinën te koronaviruset ka 12 blloqe të ARN-së shtesë, apo nukleotide, të ngjitura në të.

Kjo proteinë shfaqet prej sipërfaqes së virusit dhe e lejon virusin që të depërtojë dhe të futet në qelizat njerëzore. Kjo ndërhyrje në blloqet e ARN-së i shton katër aminoacide në kamën e proteinës dhe e krijon vend për një enzimë të quajtur furin. Furini gjendet në qelizat njerëzore dhe kapet pas proteinave vetëm në pikat ku gjenden aminoacidet.

SARS-i dhe viruset e tjera të ngjashme me SARS-in nuk i kanë këto vende ku mund të ketë depërtime.

Më pas, studiuesit e krahasuan SARS-CoV-2 me koronaviruset e tjera të gjetura në natyrë, përfshirë te lakuriqët dhe armadillët. “Duket sikur SARS-CoV-2 mund të jetë një përzierje e viruseve të lakuriqëve dhe aramdillëve”, thotë Garry.

Viruset, sidomos koronaviruset, shpesh shkëmbejnë gjene në natyrë. Gjetja e gjeneve të ndërlidhura me viruset e armadillëve ishte gjë tejet qetësuese, ngase e bën të pamundur faktin se ndokush është duke punuar me to në laborator, ka thënë ai.

Kështu që, ngjashmëria e SARS-CoV-2 me viruset e lakuriqëve dhe armadillëve është një prej dëshmive më të forta që tregojnë se virusi është natyral, ka thënë Hodcroft.

“Thjesht është një tjetër rast i bartjes prej kafshëve te njerëzit”, shtoi ajo. “Ky është përnjëmend shpjegimi më i thjeshtë i asaj që po shohim”.

Studiuesit ende nuk e kanë të qartë se cila kafshë, saktësisht, ishte burimi.

Andersen tha se analizat, sipas të gjitha gjasave, nuk do t’i heshtin teoritë e konspiracionit. Megjithatë, ai mendon se analizat ia vlen që të bëhen.

“Edhe vetë isha skeptik në fillim”, thotë Andersen. Ama tani është i sigurt.

“Të gjitha të dhënat tregojnë se është natyral”.