Italia përfshihet nga protestat pas masave kufizuese të pandemisë

4 javë më parë

Italia përfshihet nga protestat pas masave kufizuese të pandemisë

Protesta të dhunshme kanë shpërthyer në pjesë të ndryshme të Italisë të hënën kundër masave të reja kufizuese të pandemisë.

Përplasje mes policisë dhe protestuesve u raportuan në disa qytete të mëdha, përfshirë Torinon, ku zyrtarët policorë u sulmuan me bomba me karburant, shkruan BBC, transmeton Express.

Në Milano, policia përdori gaz lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit, përderisa dhunë u raportua edhe në qytetin jugor, Napoli.

Protestat filluan pas urdhrit të qeverisë qendrore për t’i mbyllur restorantet, baret, sallat e fitnesit dhe kinematë. Ky urdhër hyri në fuqi në orën 18.

Shumë rajone kanë vendosur edhe orë policore gjatë natës, përfshirë Lombardinë, ku ndodhet qyteti i Milanos, dhe Piemontin, ku ndodhet Torino.

Protesta pati edhe në më shumë se dhjetë qytete tjera, përfshirë kryeqytetin Romë, Gjenovën, Palermon dhe Triestën.

Përderisa masat izoluese në pranverë u zbatuan në mënyrë paqësore, njoftimi për masa të reja është kundërshtuar menjëherë nga qytetarët.

Bizneset e vogla kanë thënë se ende janë duke e marrë veten nga izolimi i pranverës dhe se masat e tanishme mund të bëjnë që bizneset të bankrotojnë.