Italia ndihmon Kosovën në luftën kundër tumoreve

3 vite më parë

Italia ndihmon Kosovën në luftën kundër tumoreve

Zëvendësministri i Shëndetësisë Izet Sadiku priti sot në takim një delegacion nga Liga Italiane për Luftë kundër Tumoreve nga Trentino e Italisë, bashkë me drejtorin e organizatës “Associazione Trentino con i Balcani” dhe përfaqësues të Cooperazione Italiana nga Ambasada Italiane në Kosovë.

Në takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e organizatës italiane “Associazione Trentino con i Balcani” me seli në Pejë.

Sadiku i ka njohur mysafirët nga Italia (dy prej të cilëve onkologë) për zhvillimet në fushën e luftës kundër sëmundjeve malinje në Kosovë, duke theksuar avancimet në trajtimin e pacientëve në Klinikën e Onkologjisë; përmirësimin e madh në furnizimin me terapi të pacientëve të prekur nga sëmundjet malinje; zhvillimin e Programit Nacional për Kontroll të Kancerit dhe zhvillimin e dy projekteve të skriningut për kancerin e gjirit dhe kancerin e qafës së mitrës,; zhvillimet në fushën e hartimit të Regjistrit të kancerit; Ligjin për Kontrollin e Duhanit që lidhet drejtpërdrejt me sëmundjet malinje dhe fuqizimin gradual të kapaciteteve vendore.

Ai tha se kërkohet rritje e mëtejme e këtyre kapaciteteve, me theks në fushën e parandalimit dhe kujdesit paliativ, ku bashkëpunimi me organizata të ndryshme është i mirëpritur.

Përfaqësuesit e Ligës Italiane për Luftë kundër Tumoreve, të cilët janë duke qëndruar në Kosovë qe tre ditë vlerësuan progresin e bërë në këtë fushë dhe theksuan se Kosova është një vend ku ka mjaft hapësire bashkëpunimi, për çfarë treguan interes të veçantë.

Liga shprehu gatishmërinë të bashkëpunohet në katër drejtime: në rritjen e kapaciteteve për diagnostikim të saktë; mundësimin e stazhit në radioterapi për profesionistët nga Kosova në Institutin e Trentinos; bashkëpunimin në fushën e Kujdesit Paliativ dhe aplikimin e teknikave të proton radioterapisë, që është një pajisje dhe tretman i rrallë të cilin për të prekur nga kanceri e aplikon ky institut.

Ishte qëndrim i përbashkët që këto janë fushat ku mund të zhvillohet bashkëpunimi i ardhshëm, ndërkohë që zëvendësministri Sadiku theksoi bashkëpunimin e mirë në shëndetësi midis Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Italisë.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Liga Italiane për Luftë kundër Tumoreve nga Trentino e Italisë, në bashkëpunim me Zyrën për Qeverisje te Mirë të Kryeministrisë kanë bërë promovimin e Ligës Kosovare në Luftë Kundër Tumorit.