Isufi: Qeveria po gabon, Kosova humb tokë

3 vite më parë

Isufi: Qeveria po gabon, Kosova humb tokë

Qeveria e Kosovës ka miratuar raportin e Komisionit për Matjen e Territorit të Kosovës, raport i cili thotë se Kosova ka sipërfaqe 10.905.25 km2 dhe si rrjedhojë nuk humb tokë në Demarkacionin me Malin e Zi, por këtë përsëri, për të disatën herë, e ka kontestuar gjeografi Florim Isufi në Ora e Fundit në Klan Kosova.

Madje, ai thotë se votimi në Qeveri dhe eventualisht në Parlament i këtij raporti dhe pastaj Demarkacioni në këtë formë me shtetin fqinj është një gabim i madh që do ta bënte politika kosovare.

“Qeveria ka bërë një gabim të madh, sepse me aprovimin e këtij raporti i ka dhënë vetës edhe një autogol të fuqishëm në lidhje me Demarkacionin me Malin e Zi. Kosova nuk e ka sipërfaqen 10.905.25 km2”, ka thënë Isufi, njofton Klan Kosova.

“Kjo shifër që është miratuar nga Qeveria e Kosovës do të jetë problem shumë i madh, por shpresoj se Qeveria do ta anulojë këtë”.

“Nëse kjo shifër shkon në Kuvend dhe miratohet, atëherë Kosova do t’i humbë 82 km2 dhe Mali i Zi do të rritet 82km2”.

“E kemi thënë me mijëra herë, Kosova ka rreth 11.000 km2”.

Isufi, tash profesor universitar me këto konstatime bie ndesh me ish-profesorin e tij, tani kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe kryetarit të Komisionit për Matjen e Territorit, Hivzi Islami.

Madje, Islami, duke mos i përmendur emrin, por duke aluduar në Isufin dhe gjeografin tjetër, Shpejtim Bulliqin, tha se ata janë “injorantë e mediokër” dhe se “po i fusin barutin Kosovës”.

Por, Isufi thotë se “baruti Kosovës nuk i futet me mbrojtje të interesave shtetërore të Kosovës, por nëse i rrezikon interesat shtetërore”.

“Mali i Zi po e rritë territorin, s’ka ekspertë në botë që nuk do të mund ta thoshte këtë”.

Ai ka folur edhe për raportin e tij me vet ish-profesorin Islami.

“Unë shkencën e kam mësuar nga profesori Hivzi (Islami). Unë mburrem që kam qenë student i profesorit Hivzi, sepse në të gjitha lëndët që mi ka thënë ai më ka notuar me notën 10. Me dijenitë që kam mund ta mas edhe Alaskën jo vetëm territorin e Kosovës. Ne nuk po ia fusim barutin Kosovës”.

“Profesorët e mi e dinë sa unë di teknikë dhe teknologji dhe aplikim të teknologjisë në gjeografi. Madje, pjesa më e madhe e atyre njerëzve që kanë bërë matje kanë qenë kursistë të mi. Njëri prej tyre ka qenë madje mbi 25 herë”.

Isufi tha edhe se “s’jam me opozitën aspak”.

“Kemi ne polici hetimore që mund ta kuptojnë që nuk është një që e tillë e vërtetë”.

Por, ai shtoi se vetëm po vihet në mbrojtje të së vërtetës./KlanKosova