Ismaili: Zemaj, partner i krimit të blerjes së barnave me çmime abuzuese

2 muaj më parë

Ismaili: Zemaj, partner i krimit të blerjes së barnave me çmime abuzuese

Ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë se ministri aktual, Armend Zemaj, është bërë partner i krimit të blerjes së barnave me çmime abuzuese, pas vendimit për shfuqizim të udhëzimit administrativ për rregullimin e çmimeve të barnave.

Ismaili ka thënë se shfuqizimi i atij udhëzimi nënkupton se shfuqizohet rregullativa “që do të mundësonte ndalimin e plaçkitjes së qytetarëve dhe vetëm gjatë mandatit tim kurseu mbi 12 milionë euro në blerje të barnave”.

“Në kohën kur e gjithë vëmendja e opinionit publik është e përqendruar te tmerri që po e shkakton pandemia, Ministri Armend Zemaj paska vendosur të bëhet partner i krimit të blerjes së barnave me çmime abuzive. Plaçkitësit dhe hajnat e krimit të organizuar që kanë përfituar miliona në kurriz të pacientëve të sëmurë, pra, po kthehen fuqishëm. Kjo është tejet tronditëse dhe për këtë duhet të mobilizohemi të gjithë ne kundër të keqes. Shfuqizimi i Udhëzimit Administrativ për rregullimin dhe unifikimin e çmimit të barnave nga Ministri Zemaj është i barasvlefshëm me një akt kriminal”, ka shkruar Ismaili në një postim në Facebook.

Ish-ministri ka thënë se në mungesë të udhëzimit, për 20 vjet Kosova kishte blerë mbi 6 milionë euro më shtrenjtë barna spitalore brenda vitit, “ndërsa qytetarët tanë janë rrjepur financiarisht duke shpenzuar nëpër barnatore rreth 10 milionë euro më shumë për barna në vit”.

“Në emër të pandemisë, larg syve të publikut, së pari lidhën kontrata me çmime abuzive, kurse tash po legalizohet korrupsioni me prishjen e një prej reformave më substanciale në historinë e shëndetësisë. Para se ta nënshkruaja Udhëzimin Administrativ për rregullimin dhe unifikimin e çmimit të barnave, Kosova dhe Bjellorusia ishin vendet e vetme në Evropë që nuk i kishin të rregulluara çmimet e barnave. Udhëzimi do të ndalonte këdo që ofertonte me çmime më të larta se në treg. Për ta parandaluar çdo lloj abuzimi me çmime, udhëzimi parasheh krahasimin e çmimeve me vendet e rajonit – Shqipëria, Maqedonia, Kroacia, Mali i Zi – dhe nxjerrë një çmim të volitshëm për qytetarët. Rrjedhimisht, do të kishim çmime më të ulëta, më shumë barna, furnizim më të qëndrueshëm, kursim të buxhetit dhe jetë më të shëndetshme”, ka shkruar Ismaili që ka kërkuar nga Qeveria të shfuqizojë vendimin “dhe të tregojë se si është e mundur që në vend se ta luftojë pandeminë, po i lufton punët e mira dhe po rreshtohet krah për krah me krimin farmaceutik që na ka varfëruar çdo ditë”.