Ish-ministrja Bajrami: Hekuran, nëse je transparent publikoji edhe përfituesit e pakos nga Qeveria Kurti 1

3 javë më parë

Ish-ministrja Bajrami: Hekuran, nëse je transparent publikoji edhe përfituesit e pakos nga Qeveria Kurti 1

Ish-ministrja e Financave Hykmete Bajrami, i ka reaguar ministrit aktual të Financave, Hekuran Muratit, lidhur me qeverisjen e tij në raport me shtesat ndaj atyre që përfituan nga pakoja e rimëkëmbjes.

Sipas saj Ministri Hekuran Murati në mungesë të argumenteve për mosvazhdimin e shtesave ndaj pensionistëve dhe familjeve në asistencë sociale, po zgjedh strategjinë e zhvendosjes së vëmendjes në gjëra të tjera, njofton Klan Kosova.

”Pasi neglizhoj pensionistët dhe familjet në asistencë sociale, ministri Murati paska kthyer tytat kah punëdhënësit/tatim paguesit më të mëdhenj të vendit.

Ministri i Financave në mungesë të argumenteve për mos vazhdimin e shtesave pensionistëve dhe familjeve në asistencë sociale paska zgjedhë strategjinë e zhvendosjes së vëmendjes diku tjetër, duke publikuar një listë të pjesshme të përfituesve nga programi i rimëkëmbjes ekonomik të qeverisë së kaluar.

Ministër, LDK bizneset nuk i sheh si armiq, as si konkurrentë. LDK i sheh bizneset si kontribuesit e vetëm të zhvillimit ekonomik, gjenerues të punësimit, burim i të hyrave të buxhetit dhe sektori në të cilin bazohet e ardhmja e këtij vendi.

Shpërndarja e 60 milion eurove vitin e kaluar, ka qenë masa më transparente, më efikase dhe e cila e ka ndihmuar shumë sektorin privat.

Sa për krahasim ju dje keni ndarë 6 milion euro për 8 mijë biznese të gastronomisë dhe të gjithë sektorëve tjerë që janë prekë nga mbyllja.

Ministër, 60 milion euro janë ndarë për bizneset private, me kriterin për kokë të punëtorit. Nga kjo masë kanë përfituar 206,852 punëtorë dhe 36,679 biznese. Në vitin 2021 kemi ndarë edhe 6.4 milion euro të tjera për 22,222 mijë të vetëpunësuar.

Këto të dhëna i ka BE, i kanë të gjithë, transparenca ka qenë e plotë. Kjo që publikuat sot nuk është asnjë risi për publikun, përkundrazi është kërcenim për sektorin privat, (shih reagimet e bizneseve).

LDK-së nuk i pengojnë bizneset e mëdha, ne gjithmonë do të bëjmë përpjekje që se i cili biznes i vogël të rritet dhe të punësoj aq sa punësojnë sot top 50 bizneset që i keni publikuar në llogarinë tuaj në fcb.

Ministër, top 50 bizneset që ju keni publikuar janë përfitues të po atyre shumave POR ju keni mbet borxh këtyre bizneseve dhe publikut të gjerë diçka tjetër: Publikoje sa kontribuojnë këto biznese në buxhetin e shtetit, bëje publike edhe atë tabelë!

Edhe një gjë nëse dëshiron me qenë transparent publikoj edhe 50 top përfituesit e masave të Pakos Fiskale Emergjente të qeverisë KURTI I.

Me këtë urrejtje që keni për sektorin privat është mirë të na tregoni si dhe ku do të realizoni punësimin e të gjithë të diplomuarve, premtim ky yti i fushatë së fundit. Shihni tabelat e shpërndarjes së mjeteve”, shkruan ajo në facebook.