Ish-kreu i Federatës Botërore të Atletikës, Diack, dënohet me katër vjet burgim

1 muaj më parë

Ish-kreu i Federatës Botërore të Atletikës, Diack, dënohet me katër vjet burgim

Ish-kryetari i Federatës Botërore të Atletikës (IAAF), Lamine Diack, është dënuar me katër vjet burgim, dy prej tyre me kusht, pasi është shpallur fajtor nga gjykata në Paris për korrupsion, njofton BBC.

Senegalezi 87-vjeçar, është përballur me akuza për korrupsion dhe pastrim të parave të lidhura me skandalin e dopingut në Rusi.

Diack është dënuar se ka pranuar ryshfet nga atletët e dyshuar me doping, për të mbuluar rezultatet e testeve të tyre dhe duke i lënë që të garojnë, përfshirë edhe në Lojërat Olimpike të vitit 2012 në Londër.

Atij i është dhënë edhe një gjobë prej 500 mijë euro.

Diack është hetuar nga autoritetet franceze për katër vjet, me akuzat se ka pranuar pagesa mbi 3 milionë euro për të mbuluar mashtruesit.

Gjykatësi ka thënë se veprimet e tij minojnë vlerat e atletikës dhe luftën kundër dopingut.

Diacku ka qenë në arrest shtëpiak në Paris që nga nëntori i vitit 2015.