Ish-inspektori i AKI-së i afërt me drejtues të ANP-së

4 javë më parë

Ish-inspektori i AKI-së i afërt me drejtues të ANP-së

Shkëlzen Sopjani, ish-inspektor i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, ka marrë një angazhim të ri, atë të përfaqësuesit ligjor të Aeroportit.

Sopjani ka qenë inspektor në AKI në muajin mars të vitit 2018, kur nga Kosova për në Turqi, në fshehtësi, u dëbuan 6 shtetasit turq, raporton KOHA.

Sipas burimeve të KOHËS, Sopjani kishte krijuar afërsi me drejtorin e operimeve në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Gökmen Aritay, për çka pyetje u janë drejtuar të dyve, por përgjigjja ka munguar.

Sopjani në AKI ka shërbyer për katër vjet, nga shkurti i 2015-s deri një vit më parë.

Pak muaj nga largimi i tij nga ky institucion, në korrik të 2019-s, ai është emëruar këshilltar i jashtëm politik i kryeministrit të asaj kohe, Ramush Haradinaj. Në po të njëjtin vit ai ka përuruar Zyrën e Avokatisë me seli në Fushë-Kosovë.

KOHA ka kërkuar të marrë edhe një sqarim nga ai lidhur me angazhimin e tij në aeroport, por ai ka refuzuar të përgjigjet.

“Këtë nuk e diskutoj me askënd. Është çështje diskrecionale mes avokatit dhe klientit”, ka thënë Sopjani përmes telefonit.

Edhe në pyetjet e dërguara përmes e-mailit nga KOHA, përgjigjet kanë munguar si nga Sopjani po ashtu edhe nga drejtori Aritay.

Me gjithë refuzimin e Sopjanit për të pranuar se tashmë është avokat i aeroportit, një gjë e tillë vërtetohet në dokumentet që posedon KOHA.

Konfirmimin se ish-inspektori i AKI-së është pjesë e stafit, KOHA ka provuar ta marrë edhe nga aeroporti.

Të dhënat të cilat janë kërkuar janë konsideruar “te brendshme” nga zyrtarë të aeroportit.

Në mars të 2018-s gjashtë persona, kryesisht personel arsimor në kolegjin “Mehmet Akif” në Kosovë, u arrestuan dhe u dëbuan për në Turqi.

Ata janë dërguar në Turqi me pretendimin se kanë qenë pjesë e Lëvizjes së Fethullah Gylenit, grup të cilin presidenti i Turqisë, Rexhep Tayip Erdogan, e fajëson për orkestrimin e përpjekjes për grusht shtet në Turqi, në vitin 2016.

Komisioni hetimor parlamentar i themeluar në Kuvendin e Kosovës kishte gjetur të paktën 31 shkelje ligjore në procedurat e errësimit dhe dëbimit të tyre nga Kosova.

Në Turqi ata janë dënuar me mbi 50 vjet burgim.