Investimet e diasporës në Kosovë, më së shumti për blerje të banesave

2 javë më parë

Investimet e diasporës në Kosovë, më së shumti për blerje të banesave

Mërgimtarët e kanë lëshuar dorën për blerje të patundshmërive. Vetëm në periudhën janar-shtator të vitit të kaluar, janë shpenzuar 265 milionë euro investime të huaja direkte në këtë sektor.

Blerja e banesave, shtëpive e tokave përbënë 68 për qind nga gjithsej 389 milionë eurove të investimeve nga jashtë. Kurse 87 milionë euro janë investuar në shërbime financiare.

Investimi i huaj në patundshmëri është rritur për 106 për qind nga viti paraprak.

Sipas Petrit Kastratit nga Topia Real Estate, në rritjen e këtij trendi ndikoi periudha e post-izolimit pandemik. Ky thotë se gjatë 2020-ës, shumë mërgimtarë nuk patën mundësi të vinin në Kosovë, dhe kjo ka ndikuar që kërkesa të rritet një vit më vonë, njofton Klankosova.tv

Për profesoreshën Kosovare Ukshini, ky lloj investimi nuk sjell fort fryte në ekonominë e vendit, pasi e rritë numrin e punëtorëve, por nuk ndikon në vlerën e shtuar për të cilën më së shumti ka nevojë Kosova.

Sipas saj, investimet e huaja direkte duhet të orientohen në turizëm, industri e sektorë tjerë të rëndësishëm.

Përveç shtimit të shitblerjeve, patundshmëria ka shënuar edhe rritje të çmimeve kohëve të fundit, si pasojë e pandemisë.