Imunoterapia kundër kancerit do të fillojë të aplikohet edhe në Kosovë

3 javë më parë

Imunoterapia kundër kancerit do të fillojë të aplikohet edhe në Kosovë

Gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2019, rreth 1300 persona janë prekur nga kanceri, thonë në Institutin Onkologjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Sipas profesionistë shëndetësorë të këtij Instituti, numri i të prekurve me kancer këtë vit, është rreth katër për qind më i lartë krahasuar me vitet paraprake.

Në përpjekje të shtimit të përkujdesjes shëndetësore për pacientët e prekur me kancer edhe në Kosovë, nga viti i ardhshëm paralajmërohet që krahas terapive standarde, do të aplikohet edhe imunoterapia.

Imunoterapia është një lloj i trajtimit për shërimin e kancerit, përmes së cilës rritet aftësia natyrore e trupit për t’u mbrojtur nga qelizat e kancerit. Në vende të ndryshme botërore, kjo lloj terapie ka filluar të aplikohet, ndonëse kostoja e ilaçeve thuhet të jetë shumë e shtrenjtë.

Ilir Kurtishi, drejtor i Institutit Onkologjik, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se në Kosovë nga viti i ardhshëm në listën esenciale të barnave do të jenë edhe disa lloje të barnave që i takojnë grupit të imunoterapisë.

“Imunoterapia është shtylla e pestë e mjekimit onkologjik, pas formave standarde të mjekimit bashkë me target-terapinë. Imunoterapia ka dy vjet që ka filluar të përdoret shumë, sidomos te kanceret e lëkurës, duke bërë revolucion dhe duke e rritur jetëgjatësinë. Andaj, ne do të kemi fatin që nga viti i ardhshëm, t’i kemi dy lloje të ilaçeve të imunoterapisë si pjesë e listës esenciale. Kjo përdoret te format metastatike të melanomave”, tha Kurtishi.

Ai shtoi se do të ishte mirë që përdorimi i imunoterapisë të shtrihet edhe te tumoret e mushkërive, te të cilat, siç thotë ai, ka problem në menaxhimin e formave metastatike.

“Gama e përdorimit të imunoterapisë çdo ditë shtohet dhe mendohet që të gjithë tumoret solid, do të kenë nevojë si linjë të parë ose të dytë, të kenë edhe imunoterapinë”, tha ai.

Sidoqoftë, në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se ky institucion ka të ndarë buxhet prej gjashtë milionë euro për citostatikë, derisa, nevojat e Institutit Onkologjik për barna për trajtimin e kancerit, janë mbi tetë milionë euro.

Shqiptar Demaçi, kirurg torakal thotë se imunoterapia do të ishte e mirëseardhur, pasi që ka treguar rezultat te pacientët e prekur me kancer dhe si rezultat ka ndikuar që pas luftimit të sëmundjes, e njëjta të mos rikthehet më.

“Është e rëndësishme pasi e zvogëlon rikthimin e sëmundjes. Natyrisht se janë barna më të shtrenjta, por shumë të rëndësishme për pacientët. Në vendet e zhvilluara po përdoret qe disa vjet, ndërkaq vendet në zhvillim duhet t’i përshtaten buxhetit pasi janë barna të shtrenjta”, tha Demaçi.

Ndryshe, sipas Demaçit, disa prej faktorëve që e shkaktojnë kancerin janë edhe ndotja e ambientit, e ujit si dhe ushqimi jo cilësorë.

“Kanceri do të shkojë në rritje viteve në vazhdim, nëse nuk ndërmerren masa për përmirësimin e ndotjes së ajrit, ujit dhe ushqimit. Gjithashtu rënia e standardit të qytetarëve dhe mënyra e jetesës ndikon në rënien e imunitetit dhe shfaqjen e sëmundjeve”, tha Demaçi.

Ndryshe, sipas profesionistëve shëndetësorë, ilaçet për trajtimin e sëmundjes së kancerit janë të shtrenjta dhe shkaktojnë disa efekte anësore. Andaj si alternativë po mendohet të aplikohet imunoterapia për pacientët me sëmundje malinje./REL