Ilaçet premtuese ndaj COVID-19 përfundojnë në tregun e zi të Indisë

1 muaj më parë

Ilaçet premtuese ndaj COVID-19 përfundojnë në tregun e zi të Indisë

Dy ilaçe që konsiderohet se mund të shpëtojnë jetë nëse përdoren për trajtimin e pacientëve të prekur me COVID-19 – remdesiviri dhe tocilizumabi – aktualisht janë në mungesë dhe po shiten me çmime marramendëse në tregun e zi indian në lulëzim, ka treguar një hulumtim i transmetuesit britanik BBC.

Xhaxhai i Abhinav Sharmas kishte temperaturë të lartë dhe vështirësi në frymëmarrje, kur u pranua në një spital të Delhit, transmeton KOHA.

Ai rezultoi pozitiv në testin për koronavirus dhe mjekët udhëzuan familjen që të marrë remdesivir – një ilaç ky antiviral që është miratuar në Indi për teste klinike dhe është “aprovuar vetëm për përdorim emergjent”, duke nënkuptuar se mjekët mund ta përshkruajnë nga keqardhja.

Por sigurimi i tij është shndërruar në një mision të pamundur, ngase remdesiviri nuk duket të jetë i qasshëm gjëkundi. Sharmes i kujtohet t’i ketë thirrur dëshpërueshëm njerëzit në telefon për ta siguruar ilaçin për xhaxhain e tij, gjendja e të cilit po përkeqësohej nga ora në orë.

“Sytë i kisha të përlotur. Xhaxhai im po luftonte për jetën dhe unë po mundohesha ta siguroja ilaçin që mbase mund ta shpëtonte”, ka thënë ai. “Pas dhjetëra thirrjeve, pagova shtatëfishin e çmimit, për të marrë ilaçin. Isha i gatshëm të paguaja çfarëdo çmimi, por më këputet zemra për njerëzit që nuk mund ta sigurojnë atë”, ka thënë ai.

Çmime astronomike

Përpjekjet e Sharmas janë të njohura për shumë familje në Delhi, të cilat janë të dëshpëruara dhe të gatshme të bëjnë çmos për t’i shpëtuar më të dashurit e tyre.

Disa prej tyre thonë të jenë detyruar të paguajnë çmime astronomike për ilaçin, një sasi e madhe e të cilit përfundon në tregun e zi mjekësor në pjesën e vjetër të Delhit.

BBC-ja e ka pasur të pamundur që të lidhet me njerëzit që punojnë në treg, të cilët thonë se mund ta siguronin ilaçin, por për çmimin e duhur.