Ikja e Enver Hoxhës nga “kasapi i kuq”

3 vite më parë

Ikja e Enver Hoxhës nga “kasapi i kuq”

Ish diktatori komunist, Enver Hoxha mund të jetë ndjerë i kërcënuar nga “konkurrenca” që i bënte Mehmet Shehu në fillimvitet pesëdhjetë të shekullit të kaluar.

Gazetari dhe studiuesi Armand Plaka, duke u mbështetur në shumë burime shkruan se Shehu në atë kohë ishte në fakt i preferuari i Moskës dhe lideri real i Shqipërisë, duke lënë në hije dhe vetë Sekretarin e Partisë.

Teza në fjalë, sipas tij, është pohuar e kundërshtuar nga shumë studiues e protagonistë të kohës, por asnjëherë nuk kishte shkuar mendja se për Hoxhën, mund të kishte pasur një urdhër arresti apo dhe që madje të ishte arrestuar ndërkaq, ose që ai të ishte ndjerë i kërcënuar në atë masë, saqë të kishte çuar ndërmend ndonjëherë largimin, duke kërkuar azil politik në ndonjë vend perëndimor, në mënyrë që t’i shpëtonte i sigurt raprezaljeve të Shehut, i cili në atë kohë njihej ndërkaq me nofkën “kasapi i kuq” nga media perëndimore, falë “bëmave” të tij.

Të paktën, sic shkruan Plaka këtë na lë të kuptojë një dokument (i deklasifikuar qysh në vitin 2005) i CIA-s amerikane i vitit 1954, nga i cili mësohet se tashmë në zyrat e saj kishte mbërritur lajmi se Enver Hoxha ishte arrestuar e se ai kishte aplikuar edhe për vizë franceze.

Dokumenti në fjalë, megjithëse i deklasifikuar, sipas autorit, nuk arrin dot të na japë dot emrin, apo burimin e lajmit, ndonëse shihet qartë se CIA ishte e interesuar rreth këtij lajmi dhe se do të punonte deri në sqarimin e plotë të tij.

Më konkretisht, në dokumentin e deklasifikuar të CIA-s sic citon Plaka, shkruhet: Në përgjigje të kërkesës sonë për konfirmimin e lajmit, ku raportohet arrestimi i Enver Hoxhës dhe aplikimi për t’u pajisur me vizë franceze, kërkesë e cila ishte bazuar në kabllogramet e referuara, (emri paraqitet i fshirë) na informoi si më poshtë: “Ne e kemi parë informacionin tuaj dhe nuk do hezitojmë t’ju informojmë, nëse Enver Hoxha ka aplikuar për vizë franceze”. Asnjë përgjigje nuk është marrë ndërkohë nga (emri paraqitet i fshirë).

Vetë emri i Shehut në dokumentin e CIA-s nuk shfaqet askund, por nëse e njeh mirë situatën, menjëherë e kupton se kjo aty të çon. Është pikërisht viti kur Shehu sapo ishte emëruar Kryeministër dhe besohet se ishte në zenitin e fuqive të tij.

“Nga e gjitha ajo çka na dëshmon historia jonë zyrtare e ajo jozyrtare, mund të pohojmë se është hera e parë që qarkullon një informacion i tillë, duke dalë në dritë si një risi, pavarësisht faktit se shumë pak gjasa ka që të ketë qenë i vërtetë. Rreth tre dekada më vonë, vetë Shehu do të pësonte një fund tragjik, dilema e të cilit vërtitet mes vrasjes e vetëvrasjes, e rrethuar me plot pikëpyetje të tjetra”, shkruan Plaka, transmeton Aktivpress.

Në një tjetër aspekt, sipas tij, shfaqet një lloj turbullire nga ana e CIA-s amerikane në atë kohë, në lidhje me depërtimin e lajmeve të cilat kishin një bazë shumë të ulët besueshmërie.

Shumëkush sot mund të thotë se ndoshta pikërisht kjo ka qenë edhe arsyeja për të cilën Hoxha nuk e fali kurrë Shehun, por një logjikë e thjeshtë të thotë se pse duhet të priste Hoxha aq shumë vite për të eliminuar Shehun, kur pas viteve pesëdhjetë, pushteti në duart e tij ishte më se i sigurtë.

Plaka përkujton se të gjithë e dinë se diktatori shqiptar ishte në gjendje të të zhdukte nga faqja e dheut edhe nëse kishe tentuar të bëje shumë më pak se akti i sipërpërmendur. /Aktivpress

Më poshtë faksimlja e dokumentit të CIA-s amerikane në vitin 1954.