I çmenduri që ecte me këmbët e tij

2 muaj më parë

I çmenduri që ecte me këmbët e tij

Rrëfenjë anonime
Në shqip nga: Bajram Karabolli

Një histori e vjetër na tregon se mbreti i ri i një perandorie të largët, një ditë, bie nga kali i tij dhe thyen të dy këmbët. Edhe pse në shërbim të tij vihen mjekët më të mirë, asnjëri prej tyre nuk arriti dot ta bënte mbretin të ecte me këmbët e tij. Kësisoj, ai nuk pati zgjidhje tjetër, veçse të ecte me paterica. Atëherë, për shkak të personalitetit të tij krenar, ai nxjerr një dekret që detyronte të gjithë banorët e shtetit të tij të ecnin me paterica. Të gjithë ata shtetas që u rebeluan u arrestuan dhe u dënuan me vdekje.

Qysh atëherë, nënat nisën t’i mësojnë fëmijët e tyre të ecnin në paterica, sapo ata nisnin të ndërmarrin hapat e tyre të parë. Monarku pati një jetë shumë të gjatë, kështu që, shumë banorë u zhdukën, duke marrë me vete kujtimin e kohërave kur ai ecte me të dy këmbët.

Vite më vonë, kur mbreti, më në fund, vdes, pleqtë, që ishin akoma gjallë, përpiqen të braktisin patericat e tyre, por, për shkak të eshtrave të brishtë dhe të lodhura, nuk arrijnë dot të ecin pa to. Shpesh, ata përpiqen t’u thonë më të rinjve se, vite më parë, njerëzit ecnin pa përdorur ndonjë mbështetje. Por, të rinjtë nuk i besojnë dhe qeshin me ta.

Duke qenë kureshtar për çka dëgjonte nga të moshuarit, një ditë, një i ri përpiqet të ecë pa paterica. Por, bie në tokë dhe, menjëherë, bëhet gazi i gjithë mbretërisë. Megjithatë, ai nuk heq dorë dhe, pak nga pak, po i forcoheshin këmbët. Nuk i mpiheshin më. Kështu, djali fiton gatishmëri dhe qëndrueshmëri, gjë që e bën të ecë disa hapa me radhë. Sjellja e tij nuk i pëlqen pjesës tjetër të banorëve. Duke parë atë të ecte me këmbët e veta, njerëzit i shmangeshin dhe nuk flisnin me të. Kur ky djalosh fillon të vrapojë dhe kërcejë, askush nuk dyshonte më se ai ishte plotësisht i prishur mendsh.

Në atë mbretëri, ku, sot e kësaj dite, të gjithë vazhdojnë të bëjnë një jetë të kufizuar, pra të ecin me paterica, ai djalë mbahet mend si “i çmenduri që ecte me këmbët e tij”.