Humbje e borxhe – pandemia shtriu përtoke ekonominë kosovare

3 javë më parë

Humbje e borxhe – pandemia shtriu përtoke ekonominë kosovare

Mungesa e mërgimtarëve në Kosovë, sivjet la shenjë të madhe në dëm të ekonomisë vendore.

Shpenzimet që diaspora i bën gjatë pushimeve, ranë për 60% më 2020.

Sipas Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, këtë vit kjo kategori shpenzoi 470 milionë euro në Kosovë, ndërsa vitin e kaluar kishin harxhuar rreth 1.1 miliard euro, njofton Klan Kosova.

Mirëpo kosovarët që jetojnë nëpër shtete tjera i shtuan dërgesat, duke i rritur kështu remitencat në 796.5 milionë euro.

Borxhlinjtë e pandemisë

Paratë që morën nga diaspora nuk u dolën mjaftë kosovarëve. Bizneset e familjet u zhytën në kredi për shkak të humbjeve prej pandemisë COVID-19.

Aktualisht, qytetarët u kanë borxh institucioneve financiare afër 3.5 miliardë euro. Afër gjysma e këtyre është marrë nga marsi e këtej.

“Kreditë aktive në sektorin bankar shënojnë 3.2 miliardë euro, me rritje vjetore 7%. Vetëm gjatë pandemisë sektori bankar ka kredituar ekonominë rreth 1.2 miliard euro”, konfirmon Mehmeti.

Me gjithë këto qarkullime, sektori financiar ka arritur ta ruajë stabilitetin, duke poseduar asete në vlerë 5.05 miliardë euro. Po ashtu, janë shtuar edhe depozitat në vlerë prej 4.1 miliardë euro, teksa norma e interesit është ulur në 6.3%. Kjo normë më 2019 ishte 6.5%.

Ringritje pas rënies

Sipas statistikave të BQK-së, rënia ekonomike këtë vit në Kosovë shkoi në 7.2%.

Rënie rekorde shënoi edhe Bruto Produkti Vendor. Treguesi më i rëndësishëm ekonomik, në periudhën korrik-shtator, ka shënuar rënie për 7.25%, krahasuar me vitin paraprak.

Përmes Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, shteti synon mbulimin e dëmeve pandemike. Në të përfshihet edhe tërheqja e 10% të kursimeve pensionale nga TRUST-i, me të cilën mëtohet rritja e kërkesës agregate.

Më këtë dhe masat tjera të ndërmarra në kuadër të rizgjimit ekonomik, si dhe duke shpresuar se pandemia përfundon në fillim të 2021-ës, BQK parashikon që ekonomia vendore të ketë ngritje për rreth 4.5%.

Por guvernatori Mehmeti propozon që qeveria e ardhshme të fokusohet edhe më shumë në ekonomi, në mënyrë që të mbulohen sa më shpejtë dëmet e pandemisë.