Hoxhaj: SHBA, pikë reference për Kosovën kudo në botë

3 vite më parë

Hoxhaj: SHBA, pikë reference për Kosovën kudo në botë

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar zyrtarë të lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit në Washington.

Pas takimeve me kongresmenë dhe senatorë, ai ka takuar Hoyt Yee, Zëvendësasistent i Sekretarit Amerikan të Shtetit, me të cilin kanë diskutuar për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, si dhe mbështetjen për njohje dhe anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Hoxhaj ka thënë se SHBA mbetet mbështetës kryesor i Kosovës në proceset e integrimeve euro-atlantike, ndërsa ka theksuar se ka potencial për bashkëpunim edhe në fusha të reja të interesit të përbashkët.

“Kemi biseduar për marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, mbështetjen e parezervë të SHBA-së për njohje të reja për Kosovën, anëtarësim në organizata ndërkombëtare si dhe zhvillimet më të fundit në rajon. SHBA-ja mbetet mbështetës dhe pikë reference për Kosovën kudo në botë dhe kjo marrëdhënie do të vazhdojë edhe në shumë fusha të tjera ende të pa-eksploruara”, ka thënë Hoxhaj.

Ministri i Jashtëm do të vazhdojë me takime në Kongres ditët e ardhshme, si dhe do të marrë pjesë në takimin vjetor të koalicionit Anti-ISIS.