Hoxha: Problemin në Kuvend s’e nisi PDK – kërkojmë dorëheqjen e Gërvallës

1 muaj më parë

Hoxha: Problemin në Kuvend s’e nisi PDK – kërkojmë dorëheqjen e Gërvallës

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka folur për tensionimet gjatë ditës së djeshme në Kuvendin e Kosovës, ku pati një fjalosje në mes të disa prej deputetëve të PDK-së dhe LVV-së.

Në rubrikën Sytë 7 në Klan Kosova, Hoxha ka thënë se këtë problem nuk e ka nisur PDK-ja, por udhëheqësja e seancës nga radhët e LVV-së kur ia ka ndalur fjalën shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashit.

“Në fakt nuk ishte përleshje fizike dhe nuk ishte iniciuar nga PDK. Tensioni nuk erdhi për shkak të temës për Gjykatën Speciale, ishte raportimi i Donika Gërvallës në Këshillin e Sigurimit që ishte shkas i fjalës së deputetes Ariana Shoshi e cila kërkoi sqarime për qëndrimet e saj në raport me atë takim”.

“Kishte të bëjë me heshtjen e saj karshi UÇK-së kur cilësohet si organizatë terroriste dhe shumë heshtje të tjera në atë takim”.

“Pritej që ajo ta bëjë një sqarim në raport me pyetjet dhe analizën e pozicionit të saj në këtë takim. Fjala e saj ishte fyese që nga fillimi kur e cilësoi partinë tonë si të korruptuar”.

“Është e turpshme që narrativa e LVV-së të rritet vetëm duke folur për korrupsionin në ajër. Filli ishte këtu sepse ajo e ofendoi të gjithë subjektin duke mos pasur përgjigje se çfarë kishte ndodhur në atë takim”.

Sipas saj, është Lëvizja Vetëvendosje ajo që e ka instaluar gjuhën ofenduese në Kuvendin e Kosovës.

“Mirë që ju nuk i dëgjoni raketat jashtë mikrofonit – një gjuhë e tillë është instaluar nga LVV. Është e pamundur me dalë në foltore, sa cilësime të vijnë nga LVV, por ato nuk dëgjohen në mikrofon. Kjo është bërë mënyre e komunikimit”.

“Problemi nuk ka nisur me PDK-në, ka nisur me Bogujevcin karshi Gashit që nuk iu jepej fjala dhe atij iu diktua se për çfarë të flasë. Kur nisi Gashi të flasë, atij iu ndërpre fjala”.

“Ne e lëshuam sallën, por e kishim një kërkesë: Tahiri kërkoi që kryesia e Kuvendit të mblidhet me urgjencë, kërkoi që mos të udhëhiqet më Kuvendi nga Bogujevci dhe pastaj të caktohet data kur të vazhdojë debati i tillë”.

“Kërkesa për dorëheqjen e Gërvallës do të jetë konstante sepse ajo nuk e përfaqëson shtetin e Kosovës – ajo nuk e ka kuptuar rolin e saj”.