Hoti u kërkon deputetëve të miratojnë rishikimin e buxhetit dhe marrëveshjet ndërkombëtare

3 javë më parë

Hoti u kërkon deputetëve të miratojnë rishikimin e buxhetit dhe marrëveshjet ndërkombëtare

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se është shumë e rëndësishme që sot në Kuvend të miratohet rishikimi i buxhetit dhe të ratifikohen marrëveshjet ndërkombëtare për grante dhe kredi.

Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë sot nga ora 14:00 seancën e së premtes.

“Është tepër e rëndësishme që sot Kuvendi të miratojë buxhetin e rishikuar për 2020, si dhe të ratifikojë marrëveshjet ndërkombëtare për grante e kredi. Kjo na hap rrugë për të vazhduar me pagesën e masave të mëhershme për të papunë dhe biznese, si dhe për të nisur zbatimin e programit për rimëkëmbje ekonomike. Fondi për rimëkëmbje ekonomike prej 385 mil euro është pjesë e këtij buxheti”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Sipas Qeverisë, si pasojë e mosvotimit të rishikimit të buxhetit, ndihmat për qytetarët dhe bizneset, të parapara me Pakon e Emergjencës, janë ndalur.