Hoti pas tubimeve të djeshme: Sistemi shëndetësor s’mund ta përballojë ngarkesën

7 ditë më parë

Hoti pas tubimeve të djeshme: Sistemi shëndetësor s’mund ta përballojë ngarkesën

Kryeministri Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj disa fotografive që kanë qarkulluar në rrjetet sociale, në të cilat shihej numër i madh i njerëzve në lokale, në disa qytete të Kosovës.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se në dy javët në vijim, qindra qytetarë që kanë qenë prezent do të kërkojnë trajtim në spitale.

“Mbrëmë ka pasur grumbullim të madh të qytetarëve në disa qendra, që është në kundërshtim me masat e ndërmarra nga Qeveria, të rekomanduara nga IKSHP dhe profesionistët shëndetësorë. Në gjithë atë masë të njerëzve është e sigurt se ka pasur të prekur me COVID-19, që mund të jenë pa simptoma. Kushdo që ka qenë prezent aty, me gjasë e ka marrë virusin. Kjo nënkupton se në dy javët në vijim, qindra qytetarë që do të kërkojnë trajtim në spitale nga po të njëjtit mjekë, këshillat e të cilëve nuk po i respektojnë”, ka shkruar ai.

Sipas tij, policia dhe inspektorati në terren janë duke mbikëqyrur zbatimin e masave, por sipas tij, ata nuk mund ta ruajnë askënd nga vetja e tyre.

“Policia dhe inspektorati janë në terren për të mbikëqyrë zbatimin e masave, por ata nuk mund të na ruajnë nga vetja jonë. Secili nga ne duhet të jetë polic dhe inspektor. Kur shkoni në dyqan, në furrë, në restorant, në komunë, e kudo tjetër, të siguroheni se janë plotësuar kushtet që ju vetë të mos infektoheni dhe të mbroni të tjerët”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se sistemi shëndetësor nuk mund të përballojë ngarkesën, duke mos qenë në gjendje të ofrojë kujdes për të prekurit me COVID-19 që kanë nevojë për trajtim.

“DUHET të qëndroni në shtëpitë e juaja, në mënyrë që të ruani familjen e juaj, miqtë dhe të tjerët. DUHET të qëndroni larg turmave, të mbani maskën jashtë shtëpisë, e në veçanti në ambiente ku ka qytetarë. DUHET të mbani gjithmonë distancën prej dy metrash. DUHET të mos përshëndeteni me dorë. DUHET të mbani higjienën dhe përdorni dezinfektues duarsh. Rrugë tjetër nuk ka, derisa nuk zbulohet vaksina”, ka shkruar ai.