Hoti kërkon menaxhim profesional në ndërmarrjet publike

3 javë më parë

Hoti kërkon menaxhim profesional në ndërmarrjet publike

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka pritur sot përfaqësuesit e Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër – Lepenc”, Sh.A., dhe Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Sh. A., me të cilët ka biseduar për sfidat me të cilat po përballen këto ndërmarrje, si dhe për aspektet zhvillimore të tyre, transmeton AktivPress.

Me këtë rast, Hoti ka theksuar nevojën që të gjitha ndërmarrjet publike në Republikën e Kosovës, e veçanërisht ato me rëndësi strategjike për vendin, siç janë “Ibër – Lepenc” dhe “Prishtina”, duhet të kenë menaxhim të mirëfilltë profesional në funksion të rritjes së performancës, efikasitetit dhe maksimizimit të të hyrave.

Hoti tha se Qeveria e Kosovës është duke punuar me përkushtim në rimëkëmbjen ekonomike, si pasojë e pandemisë COVID -19. Njëkohësisht, ai vlerësoi se duhet përkushtim i të gjithëve pa përjashtim për përballimin e kësaj situate dhe menaxhimin sa më efikas për përmbushjen e objektivave të përcaktuara.

Ndërsa, përfaqësuesit e N. P. H. “Ibër – Lepenc”, SH.A., dhe KRU “Prishtina” e njoftuan atë për punët që janë duke u kryer në këto ndërmarrje, me qëllim të arritjes së synimeve për zgjerimin dhe ngritjen e kapaciteteve të tyre.

AKTIV PRESS