Hoti: Do të punojmë bashkë në çdo projekt me interes për komunat dhe mbarë Kosovën

4 muaj më parë

Hoti: Do të punojmë bashkë në çdo projekt me interes për komunat dhe mbarë Kosovën

Kryeministri, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, mori pjesë sot në fillimin e punimeve të pjesës së parë të rrugës me katër korsi Gjilan-Prishtinë, transmeton AktivPress.

Hoti tha se ndihet i nderuar me pritjen, me fjalët dhe me angazhimin e kryetarit Haziri, duke potencuar se fillimi i punimeve në këtë aks rrugor do t’i jap frymë qytetit të Gjilanit.

“Ky projekt, bashkë me pjesën tjetër në anën tjetër të qytetit, pjesë e një projekti më të madh nga BERZH-i, edhe në Ferizaj, Prizren dhe plot projekte të tjera, kanë filluar para disa vjetësh, kur edhe personalisht, bashkë me ministrin Abrashi dhe me të tjerë, ishim në kapacitete të tjera. Unë jam shumë i nderuar që ndodhem sot këtu për të filluar këtë projekt dhe jam i bindur që në kohe rekorde do të përmbyllet”, theksoi Hoti.

Ndonëse në një situatë të vështirë të menaxhimit të pandemisë dhe duke ditur se komuna e Gjilanit është ndër komunat më të prekura me këtë situatë të pandemisë, kryeministri Hoti përgëzoi kryetarin Haziri për punën që po bën, për përkushtimin edhe njerëzor që ka, jo vetëm institucional, për menaxhimin e kësaj situate.

“Do të qëndrojmë bashkë për të tejkaluar këtë situatë dhe në të njëjtën kohë do të mundohemi të çojmë përpara një agjendë zhvillimore të vendit, sepse për ne këto dyja janë prioritetet kryesore, menaxhimi i pandemisë, ruajtja e jetës së qytetarëve dhe dalja në ndihmë bizneseve dhe zhvillimi ekonomik në anën tjetër”, tha kryeministri Hoti.

Duke theksuar se ky projekt, bashkë me atë të ujërave të zeza që u miratua në Kuvendin e Kosovës, janë projekte të rëndësishme, kryeministri Hoti tha se do të punojnë bashkë me kryetarin, në çdo projekt që është në interes të kësaj komune dhe në fakt të gjitha komunave në mbarë Kosovën.

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi tha se Gjilani po e merr vëmendjen e duhur nga Qeveria Hoti, duke shtuar se do të vijnë edhe me projekte të tjera për zhvillimi e komunës së Gjilanit, sepse me dekada të tëra kanë munguar investimet në këtë komunë.

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri e falënderoi kryeministrin Hoti që, siç tha ai, pa asnjë hezitim dhe vonesë bashkë me ministren e Financave dhe ministrin e Infrastrukturës kanë mbyllur procesin me BERZH-in, të filluar vite më parë. Ai tha se rëndësia dhe emri i rrugës “Madeleine Albright” në Gjilan është e jashtëzakonshme, sepse rregullon infrastrukturën nëntokësore, ndriçimin, duke ruajtur impaktin ambient, ujërat dhe gjithçka që është problem urban në zonën kryesore të qytetit.

Me një fjalë të pranishmit i ka përshëndetur edhe Arianit Blakaj, përfaqësues i BERZH-it në Kosovë./AktivPress/